Gjergj Vyshka 24.01.2015 09:15
Në një fushë cilësore si ajo në Pezë-Helmës të dyja skuadrat kanë shpalosur cilësitë më të mira. Golit të Arifajt i është kundërpërgjigjur Djarmati me 11-metërsh, pukjanët vazhdojnë të eksperimentojnë. Dinamo ka luajtur miqësoren e katërt të periudhës përgatitore dimërore, ndërsa në përballjen me Tërbunin, në fushën me bar artificial të Akademisë “Internacional” në Pezë-Helmës, është shfaqur më bindëse në lojën e saj. Një formacion që duket se po vjen në konsolidim në sipër që me pak lëvizje vetëm ndihmon në rritjen e agresivitetit dhe në lëvizjen e shpejtë të topit.
Madje dhe loja e krahëve, me Imamin në të majtë dhe Tafajn në të djathtë, ka qenë shumë më e mirë se sa herët e tjera, ndërsa kështu si Turdiu, ashtu dhe Xhafaj kanë qenë në kontakt më tepër me topin dhe për rrjedhojë më kërcënues për portën kundërshtare. Ajo që duhet pranuar është fakti se Tërbuni ka nisur të lëkundet si skuadër. Dhe për shkak të problemeve që ka kaluar, pavarësisht se në fushë janë po ato futbollistë, të cilët me shumë meritë e kanë renditur skuadrën pukjane në vendin e parë në Grupin e Veriut, duke qenë tashmë shumë pranë realizimit të ëndrrës historike për kalimin në Superiore, skuadra nuk është më e lidhur fort.
Nuk është e atillë si në prag të fillimit të kampionatit që merrte përsipër të mundte jo vetëm Dinamon, por dhe Kukësin, që sot pretendon të dalë kampion në Kategorinë Superiore. Kryhen veprimet, por titullarët e formacionit pukjan duket sikur kanë një ngërç që gjithmonë i pengon të jenë të lirshëm në veprimet e tyre. Pa thënë që momente-momente skuadra ka dhe ulje të dëshirës për t’u shfaqur e tillë në fushë. Dhe kjo nuk është aspak mirë për atë që Tërbuni ka prezantuar në Kategorinë e Parë, ndërsa duket se presioni i të qenit kryesues mund të mos jetë i përballueshëm nga vetë lojtarët pukjan.
Megjithatë presidenti i Tërbunit, Grandi Frroku, duke pranuar që nuk mund të çojë dëm një investim të familjes së tij për tre vjet e gjysmë për futbollin pukjan, ka treguar se skuadra do të jetë po ajo e pjesës së parë të sezonit. Përtej kësaj, Dinamo dje ka qenë bindëse në veprimet e tij. E ka paralajmëruar disa herë golin me anë të goditjeve të Daniel Xhafajt, kurse bomba e Arifajt në minutën e 30-të në një distancë prej rreth 20 metrash, një eurogol, i ka dhënë Dinamos epërsinë. Skuadra dje ka qarkulluar mirë topin, ka luajtur hapur në të dyja krahët e po kështu ka qenë shumë më e lirshme në sulm me Turdiun e Xhafajn.
Por në minutën e 39-të, Shazivari ka shkaktuar një 11-metërsh, të cilin e ka kthyer në gol ish-lojtari i Dinamos, Matko Djarmati. Në fundin e pjesës së parë, Turdiu është privuar nga shtylla pingule për të shënuar golin e fitores, që dje Dinamo e meritonte plotësisht. Në pjesën e dytë janë bërë shumë zëvendësime, mes të cilëve dhe portieri malazez Giljan, i cili ka luajtur në Portugali te Nacional Madeira. Dhe për rrjedhojë ka ulje të ritmit e në fund një barazim 1-1, ndërsa duhet theksuar Dinamo dje e meritonte fitoren.
Dinamo – Tërbuni 1-1
Shënues: Arifaj 30’ / Djarmati 39’(11-m.)
Dinamo: Kotorri, Rexhepi, Shkalla, Muça, Shazivari, Tafaj, Allmuça, Arifaj, Imami, Turdiu, Xhafaj. Trajner: D. Mehmeti. U aktivizuan: Lamellari, Capa, Ferraj, Mezini, Tragaj, Rezi, Sorra, Tako, Milushi, Matraku
Tërbuni: Myrta, Mone, Kepi, Lila, Danaj, Çutra, Tafa, Greca, Mziu, Rroca, Djarmati. Trajner: E. Plori. U aktivizuan: Karakaçi, Giljan, Lekaj, Leandro, T. Marku, Marku
Gjyqtarë: A. Beqiri, A. Shkreta, Xh. Mani (Tiranë)