Gjergj Vyshka 21.01.2015 08:35
Administratori Saliaj: “Sot do të luajmë me Gramshin, me verdhezinjtë kur të rregullohet koha”. Dinamo nuk e ka përtypur mirë faktin që Besa kishte vendosur që miqësoren me blutë ta luante sot në mesditë në aneksin e stadiumit kavajas. Sepse, sipas administratorit të bluve, Ismet Saliaj, ajo fushë është e vogël dhe për më tepër me bar sintetik, quajtur ndryshe si një terren kalçetoje. “Ne i kemi lutur që të vinin të luanin sot në fushën me bar artificial të kompleksin blu”, – ka zbuluar ai.
“Madje duke i ofruar dhe mundësinë e pagesës së udhëtimit, – ka vijuar Saliaj. – Por ata nuk kanë pranuar, sepse janë duke punuar me dy seanca stërvitore në ditë dhe në të tilla kushte nuk mund të lëvizin dot. Tashmë miqësorja me Besën, ndoshta javën që vjen, ka mbetur si alternativë për ne kur të rregullohet koha. E vërteta se ne na shërbente një miqësore në fushë të huaj, nisur nga fakti se ndeshjen e parë të kampionatit më 7 shkurt 2015 e kemi në Lushnjë.”
“Por nuk u përshtaten kërkesat e të dy palëve dhe ndeshja u anulua, edhe sepse ata kanë kërkuar të ruajnë fushën”, – ka shtuar administratori i bluve kryeqytetas. Dhe duke përfituar nga fakti që Sopoti sot do të ketë një miqësore jashtë ish-kompleksit “Dinamo”, atëherë blutë, në orarin e stërvitjes së librazhdasve, pra në ora 11:00, kanë vendosur të luajnë një ndeshje testuese me Gramshin, që është kryesuese e grupit të Jugut të Kategorisë së Dytë.
Dhe për rrjedhojë është kandidate potenciale për të qenë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Nuk duhet harruar se gramshakët e Luan Metanit deri më tani në ndeshjet miqësore kanë luajtur denjësisht me dy skuadra të Kategorisë së Parë. Janë mundur minimalisht 1-2 me Kastriotin dhe kanë barazuar 1-1 me Kamzën. Që do të thotë se duhet marrë seriozisht nga blutë në këtë miqësore të tretë të periudhës përgatitore dimërore, ndërsa të premten pritet që ata të luajnë dhe me Tërbunin.