Gjergj Vyshka 29.12.2014 08:50
Dinamo bën “Gëzuar” me të gjithë anëtarët e saj. Kjo ka qenë idea e administratorit të bluve, Ismet Saliaj, i cili ka bërë bashkë të gjithë stafin teknik të skuadrës të të rriturve, me në krye trajnerin Dritan Mehmeti, por dhe teknikët e moshave.
Pa harruar këtu dhe lojtarët e skuadrës, të cilët kontribuan në renditjen e Dinamos në vendin e dytë të Grupit të Jugut në përfundim të pjesës së parë të kampionatit, ndërsa në 12 javë blutë grumbulluan 20 pikë, një pikë më pak se sa Lushnja kryesuese.
Skuadra në fakt, që nga e enjtja e kaluar, është lënë pushim. Lojtarëve u janë dhënë udhëzime që të vazhdojnë stërvitjen e tyre individuale në Kodrat e Liqenit në mënyrë që të jenë në formën e duhur kur të nisë stërvitja më 5 janar, e cila deri më 7 shkurt kur të nisi kampionati me vizitën e vështirë të Lushnjës, do të jetë e ngjeshur.
Që do të thotë se blutë do t’i nënshtrohen një periudhë të fortë përgatitore në dimër, kuptohet e gërshetuar kjo me ndeshje miqësore. Por deri më 5 janar blutë kanë vendosur të pushojnë, ndaj dhe Saliaj i mblodhi të gjithë anëtarët e familjes së Dinamo në një festë të përbashkët për të thënë të gjithë me një zë: Gëzuar Vitin e Ri 205 dhe sezonin e ardhshëm në Superiore.