Gjergj Vyshka 15.01.2015 10:55
Mehmeti provon dhe pjesën e rezervave, ndërsa Shazivari duket se do të jetë pjesë e bluve. Blutë, edhe për shkak të lojtarëve të rinj dhe pozicioneve të reja, duan më shumë përshtatje. Dinamo nuk i ka nisur mirë ndeshjet e saj miqësore në periudhën përgatitore në dimër, ndërsa dje, në fushën me bar artificial të ish-kompleksit të saj, ka barazuar 0-0 me Kamzën. Ardhjet e reja, por dhe ndryshimi i vendosjes taktike të skuadrës, si dhe vendosja e lojtarëve në pozicione të ndryshme nga ajo çfarë kanë bërë në pjesën e parë të sezonit, duket se nuk e ka dhënë efektin e saj pozitiv që në fillim.
Nëse në qendër të mbrojtje, Turtulli e Shkalla kanë kombinuar me njëri-tjetrin sikur të kishin vite që luanin me njëri-tjetrin, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për pjesën e mesfushës, apo dhe të sulmit. Allmuça si shkatërrues duket se e ka gjetur vendin e tij. Mirëpo Turdiu nga e majta të mesfushës, në një rol që nuk e ka bërë ndonjëherë më parë, në Krujë me Kastriotin është parë të luajë dhe si mesfushor i djathtë, e ka pasur të vështirë, ndonëse ka ditur të kombinohet mirë me Imamin.
Në krahun tjetër, Tafaj ende nuk po e gjen shpejtësinë për të shpërthyer dhe për të shërbyer me krosimet e tij për sulmuesin e deklaruar Xhafaj, që jo rrallëherë është parë të vijë deri në thellësi të mesit të fushës për të marrë topin e për të vepruar. Ndonëse kërkesa e vazhdueshme e trajnerit Mehmeti ka qenë që shtatlarti të rrijë mes dy qendrave të mbrojtjes për t’i mbajtur kundërshtarët gjithnjë nën presion. Dhe kur Thana ka bërë gjithçka mirë, Arifaj s’ishte pothuajse në nivelin e tij.
Ndoshta Dinamo do të ishte më mirë me 4-4-2. Që do të thotë se nëse Arifaj do të dilte në të majtë të mesfushës për të krosuar, Turdiu do të futej si sulmues i fshehtë dhe si i dytë në prapashpinën e mbrojtjes kundërshtare e së bashku me Xhafajn do ta bënin sulmin më efikas. Për rrjedhojë me të gjitha këto lëvizje të reja dhe me skemën e re 4-1-4-1, Dinamo duket se i duhet kohë për t’u përshtatur. Ajo që duhet pranuar është se Kamza e vendosur mirë në mbrojtje dhe në mesfushë ia ka bërë më të ngushta hapësirat e veprimit Dinamos.
E në pjesën e parë, gjuajtjet e bluve të Mehmetit ka qenë si me pikatore, pa thënë që porta e mbrojtur nga Sejdini nuk është vënë asnjëherë në rrezik. Për t’u evidentuar është prova pozitive e Gjonit dhe Peposhit, dy lojtarë të ardhur në këtë treg të lëvizjeve të futbollistëve në dimër, si dhe e Zunës. I vendosur fort mirë dhe i pathyeshëm, ndonjëherë dhe i ashpër në ndërhyrje siç ka bërë ndaj Thanës, por në tërësinë e vet një lojtar që duket se do ta ketë të ardhmen shumë të mirë duke nisur që nga Kamza.
Në pjesën e dytë, Mehmeti ka vendosur të aktivizojë 11 lojtarë të tjerë. Thuajse një skemë 4-4-1-1. Dhe Dinamo me depërtimet nga e majta të Shazivarit dhe Delias, por dhe nga e djathta të Rezit dhe Tragajt duket sikur është më në lëvizje. Ka rrezikuar, kurse goli nuk ka dalë në dritë. Në përfundim 0-0 dhe që ajo që ka ndodhur në fushë nuk duket se ka kënaqur askënd tek Dinamo përtej pritshmërive për ardhjet e reja në formacion.
Dinamo – Kamza 0-0
Dinamo: Lamellari, Rexhepi, Turtulli, Shkalla, Imami, Allmuça, Tafaj, Thana, Arifaj, Turdiu, Xhafaj. Trajner: D. Mehmeti. U aktivizuan: Guga, Tragaj, Mezini, Tako, Shazivari, Rezi, Capa, Muça, Tahiraj, Delia, Sorra, Milushi
Kamza: Sejdini, Lame, Nino, Gjoni, Peposhi, Zuna, Keta, Koleci, Ahmetaj, Gjonaj, Ymeri. Trajner: Y. Zani. U aktivizuan: Patushi, Abazaj, Shero, Bliu, Boriçi, Aga
Gjyqtarë: K. Kola, R. Zaimi, Xh. Mani (Tiranë)