Gjergj Vyshka 07.03.2015 12:15
Trajneri Asllani: “Një pozicion i tillë na favorizon më shumë për fazën e tretë të kampionatit”. Vetë trajneri i përkohshëm i Dinamos, Rodenc Asllani, e ka pranuar që Pogradeci është kthyer në një makth për blutë për të mos thënë në një “mace e zezë”.
“Është e vërtetë kjo, – thotë Asllani, – sepse na ka mundur në Pogradec dhe na ka barazuar sezonin e kaluar në Tiranë.
Megjithatë ne shpresojmë që gjërat të jenë krejtësisht ndryshe dhe të fitojmë ne, , – ka vijuar ai. – Kapja e vendit të pestë në renditje do të thotë që të kemi 5 ndeshje në fushën tonë në fazën e tretë dhe katër në shtëpi. Na janë kthyer tre forca në formacion si Turdiu, Tafaj dhe Thana.”
“Por përsëri kemi mungesa, ndërsa për arsye kartonësh nuk do të jenë Capa e Shazivari, – ka theksuar Asllani. – Megjithatë mendoj se do të kemi mundësinë për të vazhduar dhe për t’u kthyer tek fitorja”. Duke u ndalur tek ndeshja me Butrinti, trajneri i bluve ka treguar se ashtu sikurse Dinamo ka pasur mundësitë për të fituar, ashtu i ka pasur dhe Butrinti.
“Ne jemi të kënaqur me një pikë në këtë ndeshje jashtë, sepse ka qenë një ndeshje shumë e vështirë në kushtet në të cilat ishim ne. Vendësit kanë pasur mundësitë e tyre, po kështu ne tonat. Megjithatë mendoj se ky barazim duhet konsideruar si rezultat pozitiv, aq më tepër që luanim në një fushë të vështirë. Sidoqoftë ky barazim me Butrintin shpresoj që të shërbejë si motiv për skuadrën për t’u kthyer tek fitorja”, – ka përfunduar trajneri i përkohshëm i Dinamos, Rodenc Asllani.