Gjergj Vyshka 15.11.2014 22:05
Mesfushori analizon situatën tek Dinamo dhe e quan jo normale numrin e madh të kartonëve: “Unë kam luajtur përpara dy sezonesh me Bylisin, kam respekt për atë ekip”. Besmir Arifaj është një nga shënuesit e tre golave në portën peqinase të shtunën e kaluar, ndërsa nisur dhe nga rezultateve të rivalëve të drejtëpërdrejtë për në Kategorinë Superiore, Dinamo sot është kryesuese e grupit të Jugut. “Më e vështirë është ta ruash kreun, se sa ta marrësh atë, – ka deklaruar ai. Sigurisht që ne kemi bërë gjithçka mirë në këto gjashtë javë kampionati. Kemi një skuadër të kompletuar, e cila meriton të jetë në Kategorinë Superiore.”
“Mirëpo gjithçka varet nga ne se sa të aftë do të jemi për të mbajtur kryesimin, – ka vijuar mesfushori i bluve. – Dihet që kundërshtarët luajnë fort ndaj nesh. Por unë jam i bindur se do t’ia dalim”. Deri në fund të kampionatit janë dhe 63 pikë në lojë, ndërsa për Arifajn më lehtë për Dinamon është të luajë në fushë të huaj, teksa thotë: “Sepse në fushën tonë kundërshtarët na mblidhen prapa dhe ne nervozohemi duke mos dalë në lojën tonë. Kurse jashtë Tiranës, duke e pritur gjithnjë kundërshtarin në zonën tonë të rreptësisë, e kemi më të lehtë për t’i kapur në kundërsulm dhe për të realizuar më pas. A mund të kishim më tepër pikë? Sigurisht që po.”
“Por gjithsesi kryesimi i tanishëm shpjegon dhe forcën aktuale të Dinamos”, – shton Arifaj. Ndërkohë Dinamo është akuzuar nga kryebashkiaku i Sarandës, Stefan Çipa, i cili është njëkohësisht dhe presidenti i Butrintit, se ka hyrë në grupin e Jugut për t’u favorizuar për të qenë në Kategorinë Superiore. “Të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm që deri më tani Dinamo nuk është favorizuar nga gjyqtarët, por ka marrë atë që i ka takuar, është përgjigjur futbollisti i kryeqytetasve. – Mos harroni ne kemi 18 kartonë të verdhë në 6 javë, një mesatare nga 3 për ndeshje, gjë që nuk është normale.”
“Janë kartona të cilat i kemi marrë në fushën tonë, ndërsa i kemi dhe për protesta. Kështu që ne nuk na ka favorizuar njeri. Përkundrazi deri këtu kemi mbërritur me forcat tona”, – ka shpjeguar Arifaj. Sakaq ndeshja e radhës për Dinamon është transferta e radhës në Ballsh. “Unë kam luajtur në atë skuadër përpara dy vjetësh. Kam respekt për të. Shpresoj që të bëhet një ndeshje e mirë, atje ku më pas të fitojë më i miri. Të jetë një ndeshje që t’i kënaqi të pranishmit në stadiumin “Adush Muçaj” të Ballshit”, – ka përfunduar mesfushori i Dinamos, Besmir Arifaj.