Gjergj Vyshka 10.10.2014 09:55
Dinamovitët vazhdojnë të mos jenë të qetë për pagesat e munguara të muajit. Premtimi: Gjithçka do ta mbyllim javën që vjen dhe do të vazhdojmë të ecim në rregull. Dinamovitët vazhdojnë të mos jenë të qetë për rrogat e munguara të muajit. Edhe pse dje kanë qenë në stërvitje, ata përsëri kanë qenë me mendje tek ajo që duhet t’i japin drejtuesit e klubit dhe me të cilën do të ushqejnë familjen.
Që nga e hëna e kanë pritur në stërvitje administratorin e bluve, Ismet Saliaj, por në fakt ky i fundit nuk është dukur asnjë ditë në fushën e përgatitjes së dinamovitëve. Në fakt dje lojtarët, edhe pas telefonatës që Saliaj i kishte bërë kapitenit të bluve, Erxhan Muça, për t’u takuar pranë mjediseve të Pishinave në mbarim të stërvitjes, kanë shpresuar se do t’i merrnin rrogat e munguara.
Ndaj dhe janë turrur të gjithë në takimin me Saliajn. Mirëpo sërish ka ardhur një tjetër premtim për dinamovitët: Javën që vjen do t’i japim rrogat dhe gjithçka do të jetë në rregull. Por dhe sa do të presin lojtarët në këto kushte? Kjo është pyetja që shtrohet, sepse dinamovitët kanë nisur të kenë dyshime. Aq sa kanë nisur të thonë: Ore nëse nuk duan ta mbajnë këtë skuadër, më mirë të na e thonë tani dhe më pas shpërndahemi secili në punën e vet.
Sepse të fillosh me vonesa rrogash që në javën e dytë, atëherë nuk është e mirë dhe e bukur për askënd. Megjithatë dinamovitët janë shpërndarë pas takimit me Saliajn me shpresën se premtimi për javën që vjen do të jetë konkret. Në mënyrë që Dinamo të mos bëjë një tjetër ndeshje zhgënjyese me Sopotin, si ajo ndaj Naftëtarit, atje ku blutë nuk gjenin motivin e duhur për të marrë fitoren e dytë të kampionatit.