Gjergj Vyshka 24.12.2014 12:45
Administratori i bluve, Ismet Saliaj, ka rrëfyer objektivat e tregut të lëvizjeve dimërore. “Dita, Turtulli, Marku, Greca dhe Xhafaj janë preferencat e mia, por dhe të stafit teknik për t’i pasur në skuadër për pjesën e dytë të kampionatit, – ka deklaruar ai. – Dita është prodhim i Akademisë së Futbollit “Dinamo” dhe si i tillë, edhe pse po luan në Kategorinë Superiore me Teutën, ka shfaqur dëshirën e tij për të qenë pjesë e bluve.”
“Turtulli nuk është aktivizuar asnjë minutë me durrsakët dhe mendoj se një aktivizim me Dinamon, jo vetëm që do t’i bënte mirë atij, por dhe do të na bënte punë ne për forcimin e qendrës së mbrojtjes, – ka vijuar administratori blu. – Parë kështu, duke ditur se Dita është një lojtar që luan në shumë pozicione, atëherë ne do të mundohemi që ta zgjidhim gjithçka në mënyrë “xhentëlmenësh” me presidentin e Teutës, Edmond Hasanbelliu.”
“Ne jemi miq me të dhe miq duam të mbetemi gjithmonë, – ka theksuar Saliaj. -Ndërkohë me Markun sërish do të mund ta kemi të lehtë, sepse me Vllazninë nuk ka luajtur asnjë minutë. Kështu që edhe atij, ashtu sikurse në rastin e Turtullit, i vlen një aktivizim me kohë të plotë me Dinamon. Për Grecën mund të them që i mbaron kontrata në dhjetor me Tërbunin.”
“Dhe jo vetëm lojtari, por dhe të afërm të tij, janë të interesuar që ai të jetë pjesë e Dinamos, – ka pohuar ai. – Dhe së fundmi, me Xhafajn do të ulemi të bisedojmë për të ditur se çfarë do të bëjë. Nëse ai vendos që të luajë për ne, atëherë sulmin e kemi të rregulluar. Shpresojmë që të pestë këto alternativa, të cilat unë i përmenda më sipër, t’i bëjmë të mundur që t’i veshim me fanellën dinamovite.
Ndërkohë, Saliaj, i cili ka bërë të ditur se grupi i futbollistëve nuk do të preket. “Por mundet të largojmë ndonjë element që nuk ka më dëshirë të vazhdojë të luajë për Dinamon. Pjesën tjetër, apo grupin e futbollistëve që kanë kontribuar në renditjen e Dinamos në vendin e dytë në pjesën e parë të kampionatit, do ta ruajmë”, – ka përfunduar Saliaj, në një kohë që skuadra ka nisur stërvitjet në ish-kompleksin blu e do të vazhdojë kështu deri më 30 dhjetor.