Gjergj Vyshka 12.10.2014 19:45
Administratori i bluve sqaron problemin e rrogave të munguara për futbollistët: “Unë kam folur dhe me lojtarët, pagat e tyre duhet të shkojnë paralel me rezultatet”. Ashtu sikurse është thënë dhe ditë më parë në mediet sportive, Ismet Saliaj ka pasur dhe një takim me “senatorët” e skuadrës me në krye kapitenin Muça.
“Unë kam folur me ta dhe i kam pyetur dhe për atë se çfarë nuk shkon në skuadër dhe çfarë duhet përmirësuar që Dinamo të jetë në majën e renditjes, – ka rrëfyer ai. – Sigurisht që unë kam premtuar rregullsi dhe në dhënien e pagave. Por që të merren pagat duhet që gjithçka të eci paralel me rezultatet. Dhe gjeta mirëkuptimin e tyre, duke i bërë të vetëdijshëm që në rast mungese të rezultateve do të ketë dhe masa ndëshkimore deri në gjoba.”
“E theksoj dhe një herë, pagat mujore duhet të shkojnë paralel me rezultatet e larta të skuadrës”, – ka shtuar Saliaj, i cili ndërkohë është i ndërgjegjshëm që për lojtarët që ka Dinamo, Superiorja nuk është e pamundur. “Sepse të vetmin që mund të llogarisim si kundërshtar në grup është Lushnja, – analizon ai. – Parashikoj një ndeshje të vështirë ndaj Sopotit, por jo të pakalueshme.”
Dinamo dje ka qenë pushim për të nisur të hënën përgatitjet për ndeshjen ndaj librazhdasve në Cërrik të shtunën e ardhshme.