Gjergj Vyshka 20.11.2014 10:55
Administratori Ismet Saliaj sot ka lënë takim me lojtarët për shumë probleme brenda ekipit. Synohet motivim për sfidën me Bylisin, Dinamo e ka marrë seriozisht ndeshjen në fushë të huaj.
Rikthehet edhe Erxhan Muça, blutë janë më të plotë për ndeshjen ndaj ballshiotëve. Motivim për Bylisin dhe për ndeshjen e së dielës, të cilën Dinamo do ta luajë të shtunën në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit.
Ky do të jetë qëllimi i administratorit të bluve, Ismet Saliaj, në një kohë që duket se ka dhe probleme të tjera për të zgjidhur, sepse në seancën e së martës ka pasur dhe debate mes Ferrajt dhe ndihmëstrajnerit të Dinamos.
Gjithsesi duket se gjërat janë shuar, por për më tepër përkushtim dhe qetësi, Saliaj ka lënë dhe takim sqarues sot. “Jo vetëm kaq – thotë Saliaj – por na duhet edhe më tepër përqendrim për Bylisin.”
“Ndaj kam menduar t’i mbledh të gjithë dhe të marrim një shkundje për të bërë më të mirën e mundshme në këtë ndeshje”, – ka përfunduar administratori i Dinamos, Ismet Saliaj.