AlbanianSport.com 10/08/2021 19:20
ASNN – Skuadra kryeqytetase vazhdon procesin e rindërtimit për rikonfirmin në Kategorinë Superiore. Dinamo ka qenë një nga skuadrat më aktive në këto muaj të verës, teksa skuadra kryeqytetase siguroi, pas 9 vitesh, rikthimin në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Pas 9 vitesh në nivelin e dytë, që njihet si Kategoria e Parë, ku rrezikoi disa herë edhe rënie një shkallë më poshtë, 18-herë kampionia e Shqipërisë dhe 13-herë fituesja e Kupës, është rikthyer dhe tanimë.
E shtyrë edhe nga një president i ri, si biznesmeni Adrian Bardhi, por edhe një administrim i ri, teksa janë larguar plot 17 lojtarë, por kanë ardhur më tepër, 18, ndërsa edhe emri i stolit ka ndërruar dhe ai quhet Bledi Shkëmbi, Dinamo është padyshim ajo që ka investuar më shumë në këtë merkato. Një pjesë e mirë e të ardhurve janë lojtarë të konfirmuar në futbollin shqiptar, por edhe elementë premtues.
Ndërkohë, Dinamo ka zhvilluar edhe një sërë ndeshjesh miqësore, teksa skuadra kryeqytetase është ndarë me rrjeta të paprekura në përballjen e parë me Burrelin më 23 korrik 2021, ndërsa një javë më pas, më 30 korrik, mundi thellë, 4-1, Pogradecin, me dy gola të Demiri dhe nga një gol të Berberit dhe Ibraimit. 5 ditë më vonë, më 4 gusht, vjen një tjetër fitore e Dinamos në miqësoren me Skënderbeun, aty ku golat e Ibraimit dhe Samakes zhvlerësuan golin e vetëm të vendasve për një triumf 2-1.
Tri ditë më vonë, më 7 gusht, skuadra e drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi, u ndal në një barazim 1-1 me Korabin, me dibranët që e mbyllën pjesën e parë në epërsi dhe me kryeqytetasit që barazuan në të dytën me Skukën. Kështu, me dy fitore dhe dy barazime në 4 përballje, nga të cilat një me një ekip të Superiores dhe 3 me ekipe të Kategorisë së Parë, duket se përgatitjet e Dinamos për sezonin e ri janë në rrugë të mbarë.