AlbanianSport.com 23/05/2019 17:05
ASNN – Rasti i finales së Nën-17-vjeçarëve, një kambanë për reflektim mbi dukurinë. Dhuna që shohim anembanë stadiumeve në nivelin e të rriturve, në Kategorinë Superiore, atë Të Parë, Të Dytë apo, më keq, atë Të Tretë, nuk është rastësore, por shpalosja e një mendësie të kultivuar që në mosha mjaft më të reja. Dëshmi e kësaj ishte finalja e Kampionatit Kombëtar të Futbollit për Nën-17-vjeçarët, që u luajt të mërkurën pasdreke në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
Finalja e Kampionatit Kombëtar të Futbollit për Nën-17-vjeçarët, që u luajt të mërkurën pasdreke në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, nxori edhe një herë në pah një problem shumë të madh të sportit më popullor në vend. Atë që dhuna që shohim anembanë stadiumeve në nivelin e të rriturve, në Kategorinë Superiore, atë Të Parë, Të Dytë apo, më keq, atë Të Tretë, nuk është rastësore.
Por është shpalosja e një mendësie të kultivuar që në mosha mjaft më të reja. Tirana e fitoi me një gol të vetëm këtë finale, por është e pashpjegueshme se pse duhen hedhur flakadanë në fushë kur janë luajtur vetëm 20-21 minuta lojë dhe rezultati është ende 0-0. Bardheblutë ngadhënjyen me një gol të Stafës në pjesën e dytë, një gol që sidoqoftë ha diskutim për faktin nëse topi e kishte kaluar apo jo vijën fatale. Por edhe këtu, dhuna nuk vonoi të shpërfaqë fytyrën e saj të vërtetë, sidomos duke ardhur nga tribunat.
Dhe, me kalimin e minutave, dhuna e tribunave nuk vonoi të zbriste në fushën e blertë. Natyrisht që është për të ardhur keq që, edhe në një lojë të një grupmoshe relativisht të brishtë, si Nën-17-vjeçarët, kultura e dhunës pasqyrohet shëmtuar, por më tepër se aq, ajo që të shqetëson është se, në fakt, duket se ajo është pjesë e ADN-së së futbollistëve të vegjël apo të rinj. Dhe kjo padyshim që duhet të na shqetësojë.