AlbanianSport.com 20/12/2020 20:55
ASNN – Dhuna është shfaqur sërish në stadiumet shqiptare këtë fundjavë, duke sfiduar hapur ligjet në fuqi, shtetin shqiptar dhe organet ligjzbatuese. Në minutën e 20-të të ndeshjes së Kategorisë së Dytë, Delvina-Albpetrol, pasi gjyqtari kishte akorduar një goditje nga këndi për Albpetrolin, një person ka kapërcyer rrethimin dhe ka hyrë në fushë duke goditur me gurë dhe më pas me mjete të forta arbitrin anësor, Elis Pulaj duke i shkaktuar dëmtime në kokë dhe fytyrë. Më pas, siç ndodh rëndom në raste të tilla, autori është larguar me shpejtësi.
Gjyqtari Pulaj ka përfunduar i gjakosur në spital dhe aktualisht është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Sigurisht, autoritetet e futbollit dhe gjyqtarët kanë bërë ndërkohë denoncimet e tyre për ngjarjen në organet e rendit. Një ngjarje e rëndë, që vërteton faktin se autoritetet shtetërore ligjzbatuese shqiptare kanë dështuar në bërjen e detyrës së tyre. Një vit më parë qeveria shqiptare përmes Kryeministri Rama trumbetonte me të madhe se do të ndryshonte ligjin.
Duke ashpërsuar ndëshkimin për ata që godisnin sportistin, trajnerin, gjyqtarin apo ndërmjetësit sportiv për shkak të veprimtarisë sportive, duke i dënuar me burgim nga një deri në tre vjet. “Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë, – sanksionohet në Nenin 274/b të Kodit Penal. – Kur nga kjo vepër ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.”
Pra thjesht hyrja e paautorizuar në fushë përbën kundravajtje penale me vete, ndërsa ushtrimi i dhunës e rëndon edhe më tej barrën penale të autorëve. Në letra ligji i ndryshuar është i mirë, por vetëm pak muaj më vonë rastet flagrante të dhunës u përsëritën në fushat e futbollit dhe për fat të keq dhunuesit nuk morën as dënimin më minimal. Kjo tregoi edhe një herë se premtimet qeveritare për sportin janë thjesht dhe vetëm gënjeshtra e demagogji. Në asnjë rast në Shqipëri personat e paautorizuar që kanë hyrë në fushën e lojës dhe kanë goditur gjyqtarët apo sportistët nuk janë dënuar!
Ky është një fakt kokëfortë, që jo vetëm tregon inekzistencën e forcës së ligjit, por në mënyrë indirekte inkurajon çdo person për të ushtruar dhunë, pasi është i qartë se nuk do t’i hyjë asnjë gjemb në këmbë. Edhe pse janë bërë denoncimet përkatëse në organet e drejtësisë nuk ka pasur asnjë reagim. Në rast se dhunuesit nuk vihen para drejtësisë është e kotë të flasim për standarde bashkëkohore. Nëse ligji nuk vepron dhuna do të vazhdojë të jetë e ulur këmbëkryq në stadiumet shqiptare.
Shteti duhet të bëjë shembuj dhe të krijojë precedent, duke i dhënë një mesazh të fortë të gjithë atyre që mendojnë se dhuna është një zgjidhje e frustrimit të tyre social apo e devijimeve psikike. Në mesin e kësaj problematike, një tjetër aspekt jo më pak i rëndësishëm që nuk duhet lënë pa përmendur është edhe gjendja e mjerë e stadiumeve që janë në pronësi të bashkive. Stadiume që kanë mbetur tokë pa zot dhe ku kushdo mund të hyjë pa frikë se do të dënohet.