Nga Viron Bezhani * 08.05.2016 19:55
ASNN – Lidhur me ngjarjet e dhunshme në Peshkopi dhe Pogradec, ka reaguar edhe Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Viron Bezhani, nëpërmjet një deklaratë për shtyp.
Të dashur miq të sportit,
Dhuna e shfaqur ditët e fundit në stadiumet tona të futbollit nuk është aspak një lajm i mirë, sidomos tani që ky sport ka prekur majat e tij në arenën ndërkombëtare. Akte të tilla dhune e dëmtojnë rëndë imazhin e sportit shqiptar dhe ulin vlerat e tij, pasi ato mbeten veprime të ulëta të lojtarëve, drejtuesve dhe tifozerive të disa skuadrave. Çdo akt dhune, diskriminimi apo fyerje që shfaqet në të gjitha mjediset sportive, nuk janë aspak etike madje janë në kundërshtim me frymën e “Fair-Play”-it që promovohet sot në sport.
Një ndeshje nuk fitohet përmes dhunës, përkundrazi çdo akt i shëmtuar është një humbje e madhe për sportin tonë. Sporti dhe mjediset sportiv nuk duhet të jetë kurrë arena e përleshjeve të dhunshme, sharjeve apo ofendimeve, por duhet të jetë vendi i argëtimit dhe kënaqësisë, shfaqjes së kulturës dhe qytetarisë, demonstrimit të vlerave njerëzore. Të gjithë aktorët sportivë dhe publikë, ata që ndikojnë në mënyrë direkte apo indirekte në sport dhe në veçanti tifozët, sportistët, trajnerët e zyrtarët, që të japin kontributin e tyre për shfaqjen e vlerave të vërteta të sportit e jo të promovojnë dhunën, në mënyrë që këto ngjarje të mos ndodhin më në të ardhmen.
Si president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ndihem i shqetësuar nga këto pamje të dhunës të shfaqura në Tiranë e disa rrethe, i dënoj me forcë ato dhe çdo akt dhune apo diskriminimi në çfarëdo lloj forme të shfaqjes së tij. Ndaj komisionet disiplinës duhet të marrin masat për të mbrojtur vlerat e sportit, duke bërë të mundur që sporti të realizojë misionin e tij dhe që këto akte të shëmtuara të mos jetë një fenomen i kulturës sportive dhe i shoqërisë tonë. Unë besoj plotësisht në parimet themelore të Olimpizmit, fryma e bashkëpunimit dhe e “Fair-Play”, i bindur se sporti promovon të tjera vlera humane, që afrojnë rininë dhe i largon ata nga dhuna.
* President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar