Gjergj Vyshka 30.01.2014 22:25
ASNN – Tepelena ka frenuar Luftëtarin në një barazim pa gola, por bluzinjtë kanë një listë me ankesa. Gjyqtarët nga Memaliaj kanë ardhur me 30 minuta vonesë, deri atëherë gjykonte Kasneci. Pjesa e dytë e lojës është zhvilluar 35 minuta dhe Devolli s’i ka parë mirë zëvendësuesit.
Për trajnerin e Luftëtarit, Bledar Devolli, kjo ndeshje nuk i shërbeu sa duhet qëllimit që i kishte vënë vetes, sepse dhe terreni i papërshtatshëm ndikoi në cilësinë e lojës. “Nuk përfituam shumë nga kjo ndeshje, thjeshtë ishte një lojë stërvitore”, – ka theksuar ish-futbollisti, tashmë trajner.
“Terreni i fushës ndikoi për keq tek futbollistët dhe koha jo e plotë e lojës nuk më dha mundësinë të realizoja atë që kërkohet në të tilla ndeshje”, – ka përfunduar trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Tepelenës, Ilir Selimi u shpreh se, pavarsisht se me mungesa, ekipi funksionoi.
“Nuk është qëllimi të fitosh ndeshje miqësore, por lojtarët të përvetësojnë më mirë detyrat e tyre, – ka theksuar kreu i stolit tepelenas. – Jam i kënaqur nga loja e futbollistëve për atë çka dhanë në fushë dhe nëse nuk do të kisha dy mungesa nga titullarët, skuadra do të funksiononte më mirë.”