Nga Adriatik Balla (Sot) 24.02.2017 07:55
Lojtarët që erdhën me bujë në merkaton e dimrit duket e kanë rezultuar një dështim i madh, të paktën deri tani. Megjithëse është ende herët për të dhënë një përfundim të qartë dhe të kompletuar, një muaj pas mbylljes së merkatos asnjëri prej klubeve të mëdha nuk i angazhon si titullar blerjet e fuqishme të dimrit, madje nuk i qas as si zëvendësues, gjë që tregon se merkato e tyre ka dështuar.
Si shembull mund të merren tre klubet kryesuese të Superiores, Kukësit, Skënderbeut dhe Partizanit. Të tre klubet bënë lëvizje të bujshme në merkaton e dimrit, madje duke deklaruar se tani e kishin shtruar si duhet rrugën drejt trofeut, por që të 3 kanë gabuar. Skënderbeu mori me bujë dy futbollistë, Kornel Prodeskun dhe Reza Karimin, por asnjëri prej tyre nuk është në formacion.
Dhe trajneri Ilir Daja po i fiton ndeshjet me lojtarët e mëparshëm që kishte në dispozicion trajneri Andrea Agostineli. Kukësi ka marrë një futbollist afrikan, të cilin e prezantoi me shumë bujë, por Ebongu i famshëm nuk ka luajtur asnjë ndeshje të plotë, duke qenë thjesht një lojtar rezervë. Si të mos mjaftonin dy kryesuesit, edhe Partizani zhgënjeu në merkato.
Mori Bonifejs nga Kosova por lojtari nuk ka qenë fare në zgjedhjen e parë të trajnerit Sulejman Starova, ndërsa blerja shkodrane Xhevahir Sukaj, i sprovuar në kampionat, është ende larg formës dhe nuk dihet se sa do të mungojë. Kjo e bën Partizanin të jetë në shigjetimin e kritikëve, sepse nuk ka bërë blerjet e duhura dhe deri tani kjo është vërtetuar.
Por nuk janë vetëm blerjet e këtyre tyre klubeve, sepse të gjithë lojtarët e ardhur në janar me shumë bujë në skuadrat e Kategorisë Superiore kanë dështuar deri më tani.