AlbanianSport.com 22.09.2016 11:35
ASNN – Koreografia që shpaloset në stadium nga ana e të dy tifozerive, në derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana, ka bukurinë dhe veçantinë e vet. Edhe për ndeshjen e së dielës, dy tifozeritë kanë premtuar se kjo gjë nuk do të mungojë. Gjithashtu policia e Elbasanit në bashkëpunim me atë të kryeqytetit, kanë vendosur të marrin masa të rrepta për të mos krijuar incidente midis dy tifozerive.
Derbi i kryeqytetit mbahet mend nga të gjithë jo vetëm për emocionet në fushë, por edhe për spektaklin koreografik që shpalosin dy tifozeritë në shkallët e stadiumeve. Edhe të dielën, të dy tifozeritë kanë premtuar se kjo gjë nuk do të mungojë. Por ndeshja Partizani-Tirana, e cila do të luhet në Elbasan ka vënë në lëvizje edhe policinë e shtetit. Sipas kësaj, do të merren masa të rrepta sikur luhet një ndeshje e kombëtares.
Kur dihet që përballë do të jenë dy tifozeritë më të zjarrta të vendit, forcat e rendit kanë vendosur që të angazhojnë jo vetëm efektivët e Elbasanit por do të vijnë përforcime edhe nga Tirana. Gjithashtu edhe autobusët që do të sjelli tifozët nga kryeqyteti për në Elbasan do të shoqërohen nga policia. Parkimi i mjeteve të transportit do të jetë i ndaluar në një perimetër të caktuar rreth stadiumit.
Ndërsa për tifozët do të jetë e ndaluar të hyjnë në stadium me mjete të forta, si çadra, monedha, shishet e ujit, çelësat etj. Edhe udhëtimi i dy tifozerive është menduar të bëhet nga dy rrugë të ndryshme. Kështu tifozët e Partizanit do të kalojnë nga tuneli, ndërsa ata të Tiranës nga Rrogozhina. Gjithsesi ende nuk është zyrtarizuar asgjë, të gjitha këto masa dhe lëvizje janë ende si ide, të cilat priten të zyrtarizohen në ditët në vijim.