AlbanianSport.com 07/07/2020 19:25
ASNN – Siç dihet, për shkak të kohës së humbur për shkak të epidemisë së virusit korona, futbolli shqiptar po i përshpejton hapat dhe java e 33-të vjen shumë shpejt për Partizanin dhe Tiranën, që të premten, do të diskutojnë midis tyre derbin e 157-të të kryeqytetit. Të kuqtë janë skuadra pritëse, e për rrjedhojë, edhe e kësaj sfide, që sipas njoftimit të publikuar nga Federata, takimi do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet, por pa praninë e tifozëve.
Në fakt, ishte shpresuar për një hakmarrje nga ana e bardhebluve, pasi sezonin e shkuar, pikërisht më 12 maj 2019, me fitoren 2-1 në derbin e fundit me Tiranën, të luajtur pikërisht në shtëpinë e saj, në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, Partizani i drejtuar nga trajneri Skënder Gega arriti që matematikisht të rifitonte titullin “kampion” pas 26 vitesh pritje. Por tanimë një gjë e tillë është e pamundur për skuadrën e drejtuar tanimë nga trajneri nigerian, Emanuel Egbo.
Me humbjen e së hënës, 1-2 përballë Kukësit, bardheblutë kanë humbur mundësinë që të “hakmerren” ndaj të kuqve dhe që të shpalleshin matematikisht “kampionë” në derbi. Me pak fjalë, cilido qoftë rezultati i këtij takimi, nuk do të kemi festë titulli në përfundim. Madje, në këtë takim Partizani mund t’i vërë bardheblutë edhe më tepër në vështirësi, edhe për arsyen se fitorja kërkohet për të shlyer edhe turpin e 28 shkurtit të këtij viti, kur Tirana i mposhti në shifrat 5-1.