AlbanianSport.com 04.05.2016 21:05
ASNN – Një barazim në derbi, që nuk i shërben asnjë ekipi, e aq më pak të kuqve. Derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani, përfundoi në barazim 2-2, një sfidën plot emocione të zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Të kuqtë kanë mbetur 4 pikë prapa Skënderbeut, ndërsa bardheblutë 6 nga zona e Evropës, kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje për tu luajtur. Të kuqtë shënuan të parët me Xhevahir Sukajn në mesin e pjesës së parë.
Pak çaste më vonë ndeshja u ndërpre, pasi tifozët e Partizanit hodhën flakadanë dhe sende në fushë. Një prej tyre iu kthye duke nxitur më shumë ata, ndërsa personi u shoqërua jashtë stadiumit nga policia.
Gentian Muça rivendosi barazimin dhe ekipet shkuan në pushim me rezultatin 1-1. Pjesa e dytë nisi më e fortë dhe, pas vetëm dy minutash lojë, Elis Bakaj realizoi golin e epërsisë për Tiranën.
Por, në minutën e 55-të, mbrojtësi Muça mori kartonin e dytë të verdhë duke i lënë bardheblutë me 10 futbollistë. Përpjekjet e Partizanit sollën rezultat në sekondat e fundit, kur Realdo Fili realizoi golin e barazimit.
Ky është derbi i 9-të radhazi pa fitore për Tiranën. Pas ndeshjeve të pasdites dhe derbit kryeqytetas, korçarët kryesojnë tashmë renditjen me 74 pikë, 5 më tepër sesa Partizani.
Megjithatë, derbi i kryeqytetit pati tension edhe pas përfundimit të tij.
Në ngjarje u përfshinë edhe pjesëtarë të stafeve të klubeve të Tiranës dhe Partizanit. Një nga të lënduarit ishte drejtori Partizanit, Dritan Dervishi. Forcat e policisë shoqëruan disa persona, mes tyre edhe tifozë në komisariat.
Por nuk ka të arrestuar, por vetëm të shoqëruar që shumë shpejt do të lirohen. Derbi i kryeqytetit ka patur gjithmonë tension veçanërisht gjatë viteve të fundit ku nuk kanë munguan edhe përplasjet mes tifozerive.