AlbanianSport.com 07.12.2015 16:15
ASNN – Derbi kryeqytetas, ai midis Tiranës dhe Partizanit është mbyllur në barazim pa gola. I luajtur në stadiumin e rikonstruktuar “Selman Stërmasi”, ky takim është ndjekur nga një numër i madh sportdashësish. Ata përveçse përkrahën skuadrat e tyre, shpalosën si gjithnjë edhe koreografitë përkatëse në shkallët e stadiumit.
Derbi I 142-të I kryeqytetit, Tirana-Partizani është mbyllur në barazim pa gola. Një rezultat ky që sigurisht nuk e kënaq aspak Partizanin që mbetet në kuotën e 39 pikëve, 2 më shumë se Skënderbeu i vendit të dytë. Në stadiumin e rindërtuar “Selman Stërmasi”, dy tifozeritë përkatëse të skuadrave kanë shpalosur si gjithnjë koreografitë e tyre.
Nuk mungoi edhe një helikopter me emrin “Tirona” dhe tymin bardheblu. Në tribunë ishin presidenti Gaz Demi i Partizanit dhe ai i Tiranës, Refik Halili, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka e shumë figura të njohura të sportit. Ndeshja fillon e shpejtë por rastin e parë e krijon Tirana, në minutën e 22-të, me anë të Fukuit.
Pesë minuta para fundit të pjesës së parë, është Trashi që gjuan fluturimthi por jashtë. Edhe në pjesën e dytë shumë pak raste për shënim për të dyja skuadrat. Në të 69-tën minut, Fukui gjuan brenda zonës me të majtën, por portieri i të kuqve, Hoxha shpëton portën, duke shmangur golin.
8 minuta më vonë është Fazlliu që depërton brenda zonës së Tiranës midis dy mbrojtësve bardheblu, por këta të fundit janë të saktë dhe largojnë topin. Në fund të takimit është Elis Bakaj që ka rastin më të mirë për të kaluar Tiranën në epërsi, kur gjuan me kokë brenda zonës, por pret Hoxha.
Përfundimisht derbi kryeqytetas mbyllet 0-0, një rezultat ky që nuk kënaq asnjërën prej skuadrave.