AlbanianSport.com 27.02.2015 18:20
ASNN – Çështja e stadiumit ku do të luhet derbi i 141-të i kryeqytetit, midis Tiranësdhe Partizanit, që ishte planifikuar të luhej sonte, duke nisur nga 19:00, por që ishte shndërruar në një telenovelë të vërtetë, duket se ka marrë më në fund zgjidhje.
Përmes një njoftimi të shkurtër në faqen e saj zyrtare në Internet, Federata Shqiptare e Futbollit ka deklaruar se “Ndeshja e shumëpritur, derbi Tirana-Partizani do të zhvillohet pas 2 javësh”.
“Të dyja palët kanë arritur dakortësinë që, në pamundesi për tu zhvilluar ditën e shtunë, ndeshja të luhet pas 2 javësh në tapetin e ri të stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, ndaj Federata Shqiptare e Futbollit po respekton marrëveshjen midis dy klubeve”, – përfundon njoftimi i FSHF-së.
Duke folur për AlbanianSport.com nëpërmjet linjës telefonike, shefi i garave në FSHF, Lysien Nurishmi, ka sqaruar se nuk ka një datë fikse për zhvillimin e derbit, por ai do të zhvillohet në javën e dytë të marsit, pra, midis datës 9 dhe 15 mars 2015.
“Duke qenë se në fundjavë është parashikuar zhvillimin i ndeshjeve të javës së radhës në Kategorinë Superiore, atëherë, afërmendsh, kjo ndeshje duhet të luhet të mërkurën apo të enjten, pra, më 12 ose 13 mars”, – ka sqaruar Nurishmi, i cili ka theksuar se data e saktë është në dorën e dy klubeve.