AlbanianSport.com 28/09/2018 14:15
ASNN – Policia e Tiranës ka marrë masat e duhura për të ruajtur qetësinë para, gjatë dhe pas ndeshjes tepër të rëndësishme, atë Tirana-Partizani. Do të ketë bllokime të disa akseve rrugore që të çojnë në stadiumin “Selman Stërmasi” duke filluar nga ora 16.00. Si dhe kufizime në disa akse të tjera rrugore ku do të kalojnë tifozeritë përkatëse. Në rast trazirash policia njofton se do të ndërhyjë si brenda dhe jashtë stadiumit duke I shoqëruar tifozët në komisariat.
Derbi i kryeqytetit, ai midis Tiranës e Partizanit ngjall interesin e të gjithë opinionit futbolldashës. Por tifozeritë e të dy skuadrave janë edhe më të zjarrtat. Duke krijuar jo pak herë probleme si brenda edhe jashtë stadiumit. Për këtë, policia e Tiranës ka marrë masa të rrepta për të parandaluar sa më shumë të jetë e mundur trazirat që mund të shkaktohen. Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë në mjediset e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve në Polici për procedim penal apo administrativ.
Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundraligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj ), si dhe çdo tifozë duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç pa praninë e prindit apo kujdestarit. Ndërsa do të ketë edhe bllokime të disa segmenteve rrugore si dhe bllokime të pjesshme gjatë momentit të kalimit të tifozerive.
Do të jenë të bllokuara nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit këto akse rrugore:
– Rruga përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”
– Rruga “Gjin Bue Shpata”, nga kryqëzimi me Rrugën “Emin Duraku” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Sulejman Delvina”
– Rruga “Emin Duraku”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek rruga përball Stadiumit “Selman Stërmasi”
– Njëra korsi e Rrugës “Sulejman Delvina”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek kryqëzimi me Rrugën përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”.
Segmentet Rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime, nga ora 17:30 – 19:30, gjatë kalimit të tifozerisë së ekipit të “Tiranës”, janë:
Nisja përballë “Teatrit të Kukullave” përgjatë rrugës “Ibrahim Rugova”, bulevardit “Gjergj Fishta”, përgjatë rrugës “Sami Frashëri”, rrugës “Pjetër Budi”, rrugës “Gjin Bue Shpata” deri tek stadiumi “Selman Stërmasi”.
Segmentet Rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime, nga ora 18:00 – 19:30, gjatë kalimit të tifozerisë së ekipit të “Partizanit”, janë:
Nisja nga kryqëzimi i Rrugës “Muhamet Gjollesha” me Rrugën “Artan Lenja”, përgjatë Rrugës “Muhamet Gjollesha”, Rruga “Sulejman Delvina”, deri tek Stadiumi “Selman Stërmasi”.
Policia e Tiranës, kërkon mirëkuptimin e tifozërive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.