AlbanianSport.com 08.12.2014 10:05
ASNN – Teksa kanë mbetur pak orë, sipas “ABC News” pak bileta kanë mbetur në treg. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” i kryeqytetit pritet të jetë plot sonte në orën 18:00. Kjo sepse tifozët e Partizanit dhe të Tiranës nuk po e lënë shansin t’u shpëtojë nga duart.
Shumë pak bileta kanë mbetur në sportelin që ndodhet pikërisht në stadium. Së fundi, Partizani nxorri në shitje edhe biletat e tribunës D1, që fillimisht ishte parashikuar të ishte bosh. Të kuqtë, që janë edhe pritës të ndeshjes, besohet që do të fitojnë rreth 5 milionë lekë të reja nga biletat.
Kjo pavarësisht se çmimi është më i lartë se zakonisht, nga 700 deri në 1,500 lekë të reja. Deri të dielën vonë ishin shitur 10,000 copë, ndërsa shitja vazhdoi edhe sot. Policia bllokoi që herët kalimin e mjeteve përpara tribunës kryesore të “Qemal Stafës”. Rreth 300 forca të rendit do të garantojnë sigurinë.
Kjo është ndeshja e 140-të mes dy ekipeve dhe Partizani ka bilanc më të mirë, me 54 fitore dhe 43 humbje. Tifozët e Tiranës përfituan këtë herë nga ndikimi i Presidentit Duka që deklaroi se pa u marrë vendimi i Komisionit të Apelit, ai i Disiplinës nuk hyn në fuqi. Ishte ndryshe për UEFA-n në ndeshjen Serbi-Shqipëri.