AlbanianSport.com 04.05.2015 22:40
ASNN – Derbi i 142-të i kryeqytetit, Partizani-Tirana, është mbyllur në barazim 2-2. Tirana ka shënuar e para, por tkuqtë përmbysën rezultatin dhe vetëm Bakaj mban në garë bardheblutë. Derbi i Tiranës, i shumëpritur dhe vendimtar në luftën për titull në Kategorinë Superiore të këtij edicioni, ka përfunduar kështu me rezultatin e barabartë, 2-2.
Koreografitë e dy tifozerive Ndeshja nisi ashtu siç pritej, me një atmosferë tepër të zjarrtë dhe elektrizuese, të dhuruar nga tifozeritë e të dy ekipeve, të cilët e zbukuruan takimin edhe me koreografitë e shfaqura në shkallët e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Përballja ka nisur me një ritëm të lartë, duke krijuar raste nga të dyja krahët, por fillimisht pa gjetur rrugën e rrjetës nga asnjë prej lojtarëve në fushë.
Gjë që është bërë e mundur vetëm në minutën e 34-t, kur Mario Morina pasi merr një pasim shumë pranë portës, e kalon atë te Sefa, i cili i vetëm për vetëm me Hoxhën nuk mundet ta kalojë “gardianin” e portës së kuqe, por as ky i fundit nuk e zotëron plotësisht topin. Aty është gjendur Elis Bakaj, që ka përfituar më së miri dhe me një kthesë e ka goditur atë, duke bërë që të gjejë “prehje” vetëm pas shpinës së Hoxhës.
Kaq mjaftonte për të ngritur në delir të gjithë tifozerinë bardheblu, që edhe pse më e paktë në numër në stadium, për shkak se organizatorë janë “të kuqtë”, nuk kanë humbur rastin të ndjehen fuqishëm. Në minutat e fundit të pjesës së parë pati një reagim të Partizanit, por ende pa gjetur golin, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë do të japin në fushën e lojës gjatë 45 minutave të dyta, kur dhe realisht duhet të bëjnë të pamundurën, nëse do të duan të mbeten në luftën për titullin “kampion”.
Kështu ka ndodhur, pasi me të filluar 45-minutat e dyta “demat e kuq” janë hedhur në sulm për të gjetur me çdo kusht golin e barazimit, minimalisht, të cilin e gjetën me anë të Fazliut në minutën e 57-të. 1-1 në “Qemal Stafa” dhe këtë herë është tifozeria e kuqe që ngrihet peshë dhe feston. Në minutat në vazhdim është parë një duel tepër i dyluftuar, shpesh edhe me përplasje fizike në mesfushë, por ajo që ka rëndësi më së shumti në këtë përballje janë golat.
“Demat” kalojnë në epërsi me anë të një goditjeje dënimi nga Mazrekaj, të ekzekutuar “alla” Beckham, por gëzimi i të kuqve ka zgjatur shumë pak, me sekonda, pasi Elis Bakaj përfiton sërish në zonën e Partizanit për të rikthyer barazimin. Dygolësh personal i tij, përpara se të zëvendësohej. 5 minutat shtesë u mbyllën pa asnjë ndryshim. Një barazim ky që Tiranës i jep ende shpresa për titullin, ndërsa Partizanin thuajse e largon edhe pse jo matematikisht.