AlbanianSport.com 25.02.2015 12:55
ASNN – Derbi i 141-të i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit, që ishte planifikuar të luhej të premten, duke nisur nga 19:00, duket se ka mbetur pa stadium. Kjo për arsye se specialistët grekë të ngarkuar nga drejtoria e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, nuk e kanë hapur dritën jeshile për përdorimin e tapetit të ri, që përfundoi së shtruari në 10-ditëshin e 3-të të janarit.
Sipas asaj që ka konfirmuar drejtori i këtij stadiumi, Eduard Prodani, fusha nuk është gati për t’u përdorur as këtë javë, ndaj dhe derbi i kryeqytetit duhet të kërkojë destinacion tjetër. Kjo gjendje ka ardhur edhe për shkak të rindërtimit të Stadiumit “Selman Stërmasi”, por edhe nga puna për ndërtimin e pistës së atletikës në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Të gjitha stadiumet e tjera alternative, si ai i Durrësit, Shkodrës, Vlorës apo edhe i Fierit, nuk mund të përdoren për shkak se skuadrat vendase, përkatësisht Teuta, Vllaznia, Vlora dhe Fieri, i luajnë në fushën e tyre takimet e javës së 24-t, ndërsa i vetmi stadium i lirë mbetet ai i Korçës.
Mbetet për t’u parë në vijim se cila do të jetë zgjidhja që Federata Shqiptare e Futbollit dhe dy klubet do t’i japin kësaj dileme.