AlbanianSport.com 08.02.2016 15:25
ASNN – Denver Bronkos mposhtën të dielën Karolina Panters me shifrat 24-10, në edicionin e 50-të të finales së Ligës Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL), që njihet ndryshe si “Superboul”. Ajo është padyshim një nga kulmet e sezonit sportiv në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ky edicion i 50-të i finales së së Ligës Kombëtare të Futbollit (NFL), që njihet ndryshe si “Superbowl”, i ka përligjur pritshmëritë sa i përket spektaklit, si jashtë, ashtu edhe brenda fushe, duke argëtuar 71,088 të pranishmit në Stadiumin “Livajs” të Santa Klarës në Kaliforni.
Ajo që nisi me interpretimin e himnit amerikan nga Lady Gaga, dhe vijoi në pushim të ndeshjes me interpretime të grupit “Coldplay”, si dhe të Bejonsesë dhe Bruno Marsit, vijoi me një ndeshje të luftuar fort në fushë, ku në përfundim, Denver Bronkos mposhtën Karolina Panters me shifrat 24-10. Ky rezultat erdhi falë një “ taçdauni” nga fundori i krahut, Si Xhej Anderson, si dhe nga 3 gola fushe nga goditësi Brendon MekManus, ndërsa fundori i jashtëm i Denver Bronkos, Von Miller, u shpall lojtari më i vlefshëm i “Superbowl”-it 2016.
Një nga personazhet më të spikatur të kësaj finaleje ishte 39-vjeçi i Denverit, Pejton Mening, i cili duket se me triumfin e djeshëm ka ulur siparin e një karriere 18-vjeçare, ku ai u bë “kuarterbeku” më i moshuar në “Superbowl”, si dhe i vetmi që e ka fituar këtë trofe me dy skuadra të ndryshme. Pas ndeshjes, natyrshëm që në Denver shpërtheu festa, ndërsa në Kaliforni vajtuan një tjetër shans të humbur nga vendasit për trofe.