Marrë nga ABC News 07.05.2015 23:05
Veteranët gjermanë e mbyllën me fitore edhe një tjetër ndeshje me veteranët shqiptarë.
Një pjesë e futbollistëve të viteve 1980-të e 1990-të, u vunë përballë në Arenën e Elbasanit, dhe ata nga Gjermania fituan ashtu si dikur, madje sërish me vështirësi, dhe pasi u shënuan shumë gola.
Rezultati përfundimtar ishte 4-3, duke u përsëritur historia e përballjes më të bukur, asaj të vitit 1997, që tifozët shqiptarë nuk mundën ta ndiqnin deri në fund për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Miqtë ishin vazhdimisht në epërsi, por golin më të bukur e shënoi Shqipëria.
Ishte gol me 11-metërsh, një 11-metërsh i fituar nga Alban Bushi dhe që donte ta gjuante Altin Rraklli. Trajneri Hafizi vuri “veton” duke ia dhënë të drejtën veteranit të viteve 80-të, Agustin Kolës. Ish-sulmuesi i Tiranës provoi dhe realizoi një gjuajtje “alla Panenka”.
Veteranët tanë provuan edhe të ishin në epërsi, por për fare pak kohë. Skuadra gjermane ishte dukshëm më mirë fizikisht, besohet për shkak të edukatës që kanë në vendin e tyre për të mbajtur veten në formë edhe pasi lenë futbollin. Kjo, pavarësisht se Hafizi bëri më shumë zëvendësime.
Golat për të ardhurit nga larg u shënuan nga Fredi Bobiç, Raih dhe dy herë Alberc, ndërsa për shqiptarët dy herë nga Bushi dhe një nga Kola. Shumë prej veteranëve kishin humbur krejtësisht format e dikurshme trupore, por kjo nuk solli asnjë problem për portierin Artur Lekbello, që zvëndësoi Perlat Mustën.
Reflekset e tij ishin njëlloj si 30 vjet më parë. Kështu përfundoi një sfidë pas shumë vitesh, mes rivalëve që në vitet 80-të, 90-të dhe në fillim të viteve 2000 luajtën plot 10 herë kundër njëri-tjetrit dhe gjithmonë fitoi Gjermania.