AlbanianSport.com 13.11.2015 15:15
ASNN – Topi i Evropianit Francë 2016, i quajtur “Bò Zhë” (Beau Jeu), që përkthehet si “Loja e Bukur”, është prezantuar të enjten në mbrëmje. I zhvilluar dhe provuar përgjatë 18 muajve të fundit, ky ka ndërthurur elementët më të mirë të “Brazukës” të Botërorit 2014, duke përmirësuar kontrollin, por edhe shikueshmërinë në lëvizje të këtij topi.
Blu, i bardhë dhe i kuq, në nderim të tringjyrëshit të Francës, dhe i emërtuar “Bò Zhë” që përkthehet si “Loja e Bukur”, topi i Evropianit të vitit të ardhshëm ka debutuar të enjten në mbrëmje. Ndryshe nga çdo herë tjetër, ky top do të përdoret gjatë fazës së grupeve të Evropianit “Francë 2016”.
Ndërsa në turin e 16-shes e deri në finale do të përdoret një tjetër top që do të prezantohet më vonë. I zhvilluar dhe provuar përgjatë 18 muajve të fundit nga gjigandja ndërkombëtare e veshjeve dhe pajisjeve sportive, “adidas”, “Bò Zhë” ka ndërthurur elementët më të mirë të “Brazukës” së Botërorit 2014, duke përmirësuar kontrollin, por edhe shikueshmërinë në lëvizje të këtij topi.
“Bò Zhë” do t’u dorëzohet zyrtarisht në fund të nëntorit të 24 federatave, përfaqësueset e të cilave janë kualifikuar për në “Euro 2016”, duke u mundësuar futbollistëve një periudhë 6-mujore që të përshtaten me topin deri më 10 qershor, kur edhe ngre siparin kjo veprimtari.