De Biazi: Shqipja ime? Më tepër më duhet të përmirësoj anglishten (III)

Share Button

 

Xhovani-De-Biazi-2015-bos-ne-stadium

Marrë nga “Top Channel” 13.06.2015 14:25

 

ASNN – Një ditë pas marrjes së pasaportës shqiptare, ai ndihet shumë i motivuar për të fituar ndeshjen e 13 qershorit me Francën.

Karriera, familja, jeta në Shqipëri, në një rrëfim të sinqertë për Jonida Shehun, nga Durrësi, ku është grumbulluar kombëtarja kuqezi.

AlbanianSport.com jua ka sjellë në 3 pjesë intervistën e trajnerit italiano-shqiptar të Kombëtares kuqezi dhe të enjten ishte pjesa e parë, dje ishte e dyta, ndërsa sot pjesa e tretë dhe e fundit.

 

 

…Vijon nga dje

 

 

– Të gjithë e pamë se çfarë ndeshje ishte Barcelona-Juventus. De Biazi ka qenë atje për ta ndjekur dhe nuk e di përse jam e sigurt që ka qenë tifoz me Juventusin. Dua t’iu pyes për finalen e Ligës së Kampioneve. Ju ishit atje, e patë atë ndeshje… Ishit atje për Juventusin?

– Jo, isha atje për të parë ndeshjen, sepse më interesonte të shihja finalen e Ligës së Kampionëve. Duhet të them se e dija, që para ndeshjes, se do të ishte shumë e vështirë për Juven. Juvja them se bëri më shumë se ç’prisnim në Itali, sepse arriti në finale. S’e priste asnjëri, por Barcelona është shumë e fortë tani. Edhe pse në pjesën e parë, e deri në pjesën e dytë, kur shënoi golin e barazimit, Juventusi po ecte mirë. Gjyqtari, sipas mendimit tim, nuk i dha Juves një 11-metërsh me Pogbane, sepse aty mund të ndryshonte rezultatin. Barcelona kaloi në avantazh me aksionin e radhës duke mbyllur ndeshjen.

 

– Kjo është ta shohësh ndeshjen si profesionist… Por si italian, si u ndieve?

– Po të kishte fituar Juvja do të kisha qenë shumë i kënaqur. Por isha shumë asnjëanës në atë çast. Doja të fitonte më i miri. Gjëja më e bukur për të parë një ndeshje është të mos kesh interes se kush do të fitojë. Edhe pse pak njëanshmëri për Juventusin, sigurisht që e kisha.

 

– Përse futbolli italian s’është më ai i dikurshmi. Pse u zbeh ajo atmosferë lavdie. Çfarë ndodhi?

– Tani kemi një krizë ekonomike, që na hap vështirësi të mëdha e s’mund të konkurrojmë lehtë me sheikët dhe klubet angleze, apo spanjolle. Barcelona dhe Reali i Madridit kanë mundësi shumë të mira ekonomike. Por, paguajmë edhe për një mungesë programi. Lacio, që sot nuk është një klub shumë i pasur, arrin të kualifikohet në Ligën e Kampioneve përpara Milanit e Interit, skuadra që kanë më shumë parà. Nëse dikush punon mirë dhe ka ide të qarta, arrin të bëjë futboll. Ne jemi bllokuar shpesh me duart tona, pasi nuk kemi shfrytëzuar potencialet, që shumë të tjerë do t’i kishin shfrytëzuar. Kemi një klasë të vjetër drejtuesish, të dalë kohe, që fatkeqësisht janë ende të ulur në postet e tyre.

 

– A mendon se do të kthehet më ajo periudhë lavdie në futbollin italian?

– Mendoj se, nëse futbolli italian arrin të dalë nga logjika e zakonshme, që futbollin e bëjnë vetëm emrat, mbase mund t’ia dalim, sepse duhet të përpiqemi t’i japim peshë ideve e personave, që kanë aftësinë të drejtojnë e t’i bëjnë gjërat siç duhet. Nëse vazhdohet me miqësi e gjëra të tjera, ose duhet të kemi paratë, ose nuk shkohet gjëkundi. E kam thënë gjithnjë, që futbolli bëhet në dy mënyra, ose me shumë parà, ose me projekte serioze e njerëz të aftë. Sot duhet t’i japim përparësi rrugës së dytë.

 

– Në epokën kur ju luanit futboll, nuk ishte çështje parash…

– Jo, në kohën time nuk ishin paratë me peshë.

 

– Nuk diskutohej kaq shumë për paratë sa sot, apo jo?

– Jo, ishte ndryshe. Por kur flas për parà sot, e kam për buxhetet që kanë klubet për të blerë Kristiano Ronaldon, Mesin apo gjëra të tilla. Nëse s’ke potencialin për këtë, duhet të kesh një strategji tjetër, që bazohet te puna, kërkimet e talenteve, te rritja e sektorëve të rinj. Nëse nuk e bën këtë investim e çdo vit rri në të njëjtin vend, duhet të kesh një largpamësi më të madhe se projekti. Nuk mund të mendojmë ta ndërtojmë shtëpinë brenda ditës. Duhet ta bëjmë pak nga pak, tullë pas tulle. Pastaj shpreson të të bjerë lotaria, e të kesh shumë parà.

 

– Në këtë panoramë që sapo më bëtë, më duket se po flisnit për futbollin në Shqipëri. Ndërkohë që ne jemi shumë më keq…

– Le të themi, që e gjithë bota është një fshat. Ngjajmë shumë nga kjo pikëpamje. Është e qartë, që Italia është më përpara nga disa pikëpamje, sepse ka pasur struktura, shoqëri të strukturuara në mënyrë shumë të mirë. Shqipëria ka potenciale, sepse ka popullsi të re, edhe pse të vogël me 3.5 milionë banorë. Por me një moshë të re mund të investohet shumë nëpër akademi e sektorë të rinjsh, që të përmirësohen.

 

– Ku i gjeni të rinjtë, talentët e rinj të së ardhmes së kombëtares?

– Tani për tani i gjejmë nëpër Federatat e huaja. Ata që kanë dalë nga Shqipëria në rini, e tani kanë 14-15 vjet, që jetojnë në Itali, në Zvicër apo në Gjermani. Por duhet të përpiqesh të shkosh para federatave të tjera, që mund t’i shohin e të t’i marrin. Duhet të përpiqemi të jemi të zgjuar e ta bëjmë këtë punë. Por duhet të jetë e bazuar në seriozitet, sepse ashtu i bën njerëzit të të ndjekin. Nëse nuk je serioz, s’ke për të gjetur njerëz që të ndjekin.

 

– Shqiptarët mbetën keq, kur disa futbollistë shqiptarë nuk pranuan të luanin me kombëtaren. Ne mbërritëm vonë tek ata, e kuptoj, por ata nuk vendosën të vinin dhe nuk vendosën për faktin që ishin shqiptarë. Si mendon se vepruan?

– Është e vështirë të japësh një gjykim sot. Kemi një shembull klasik, që mund ta japë idenë: vëllezërit Xhaka. Kemi Taulantin, që luan me ne, dhe Graniti, që luan me Zvicrën. Graniti, ndoshta nuk e ka parë Shqipërinë si zgjidhjen ideale për veten, ndaj ka zgjedhur Zvicrën. Duhet pranuar, që ata kanë kaluar shumicën e jetës në Zvicër. Miqtë e tyre s’janë më në Kosovë, besoj, por në vendet ku jetojnë, në Zvicër. Dhe është e vështirë të japësh shpjegime të tilla.

 

– Në këtë rast ishte çështje lekësh, apo çështje kohe?

– Them se ka qenë edhe çështje projektesh. Nëse shkon te Taulant Xhaka dhe i thua të vijë të përpiqet ta fusë Shqipërinë për herë të parë në Francë, ai do të mendohet e do të thotë, që do ta bëjë, sepse ndihet shqiptar e do të ndihmojë kombin. Kjo besoj se është. Por duhet të jesh bindës e të përpiqesh të tregosh, që ke shumë besim tek ai, e që mund të jetë i rëndësishëm. Them se në këto aspekte kanë të bëjnë gjithnjë lidhjet personale, të cilat ndërtohen me kohën. Duhet të çlirohesh, të shkosh, të flasësh e të tregosh që ka vërtet interes.

 

– Cili është miku yt më i mirë brenda dhe jashtë futbollit në Shqipëri?

– Më i miri jo, sepse i prish qejfin dikujt. Kam bërë miqësi me njerëzit, që i takoj më shpesh, me djem e miq, që dalim edhe për darkë. Kam shumë në fakt. Kujtoja se kisha më pak. Mbase roli më ndihmon më shumë të futem.

 

– Me shqipen si je?

– Me shqipen, shumë mirë!

 

– Vetëm kaq?

– Ashtu ashtu!

 

– Është dikush që të mëson?

– Kam edhe një libër për të mësuar, që e lexoj pak, sepse, ndërkohë, po përmirësoj dhe anglishten time të dobët.

 

– Megjithatë në Shqipëri, nuk është se ke shumë nevojë ta mësosh…

– Jam mëse dakord. Fati im i keq është, që e flisni italishten aq mirë, sa nuk përpiqem për të mësuar shqipen.

 

– S’do ta mësosh kurrë. Të duket e vështirë?

– Kurrë mos thuaj kurrë. Është shumë e vështirë për ne italianët. Për ju shqiptarët është më e lehtë të mësoni italishten.

 

– Jemi drejt fundit… Si do dalë ndeshja me Francën? Na duhet rezultati sipas trajnerit…

– Ta them pak para orës 20:00, kur të ketë mbaruar ndeshja. Do të jetë ndeshje e vështirë, sepse Franca u mundua shumë kundër nesh në ndeshjen e parë, ndaj tani e dinë që jemi skuadër e mirë. Por jemi në një çast të veçantë. Kemi shumë lojtarë, që s’janë pjesë e ekipit në këtë ndeshje. Por ata kanë cilësi fizike e teknike shumë më të mëdha se tonat.

 

– Do t’ia dalim?

– Shpresojmë të dalim me një rezultat pozitiv.

Artikuj të tjerëFaqja Kryesore

“Kënga e fundit e mjellmës”… një lamtumirë për 5 futbollistë kuqezi

“Kënga e fundit e mjellmës”… një lamtumirë për 5 futbollistë kuqezi

AlbanianSport.com 15/11/2024 23:40 ASNN – Për herë të fundit në ngjyrat kuqezi, 5 futbollistë i japin

Kombëtarja / Suçek: Tirana na sjell kujtime të këqija, uroj t’i lëmë pas

Kombëtarja / Suçek: Tirana na sjell kujtime të këqija, uroj t’i lëmë pas

AlbanianSport.com 15/11/2024 23:05 ASNN – Ai do të përjetojë një natë të veçantë këtë të shtunë në “Arenën

(Video) Kombëtarja / Kuqezinjtë mbyllin përgatitjet për sfidën çeke

(Video) Kombëtarja / Kuqezinjtë mbyllin përgatitjet për sfidën çeke

AlbanianSport.com 15/11/2024 22:30 ASNN – Liga e Kombeve, Kombëtarja mbyll përgatitjet në “Arenën Kombëtare”, gati për ndeshjen ndaj Çekisë. Kështu, Shqipëria e futbollit është gati për takimin e parë të nëntorit ndaj Çekisë, teska skuadra kuqezi, me në krye trajnerin Silvinjo, mbylli mbrëmjen e së premtes përgatitjet në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet. Sipas burimeve

(Video) Kombëtarja / Silvinjo: Formacioni? Do të pres deri në fund

(Video) Kombëtarja / Silvinjo: Formacioni? Do të pres deri në fund

AlbanianSport.com 15/11/2024 21:55 ASNN – Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, tregoi edhe se si paraqitet

Kombëtarja / Trajneri i Çekisë, Hashek: Synojmë gjithçka në Shqipëri

Kombëtarja / Trajneri i Çekisë, Hashek: Synojmë gjithçka në Shqipëri

AlbanianSport.com 15/11/2024 21:20 ASNN – Trajneri i Çekisë, Hashek: Synojmë maksimumin kundër

  

Kuqezinjtë në “Gjermani 2024” – Vendi Organizator & Të rejat më të fundit

banner
banner
banner

Arkiva

banner
banner
banner
banner
banner
banner

Kontakte dhe informacione

Rrjeti Shqiptar i Lajmeve Sportive (ASNN)

PR & Marketing:
Gentiana Kodra (Pine)

Rrjetet Sociale

Rreth Nesh