AlbanianSport.com 10.06.2015 13:20
ASNN – Ajo që ishte njoftuar fillimisht në fundin e muajit mars, në prag të ndeshjes me Armeninë, tashmë është bërë realitet. Xhovani De Biazi është zyrtarisht shtetas i Republikës së Shqipërisë, pasi trajnerit të Kombëtares kuqezi i është dorëzuar këtë të mërkurë pasaporta shqiptare.
Vetë trajneri italian e ka komunikuar këtë lajm përmes rrjeteve sociale, duke postuar edhe dy foto të pasaportës me shënimin: “Sot më dorëzuan pasaportën shqiptare”. Në mars të këtij viti, Presidenti Bujar Nishani i dekretoi shtetësinë shqiptare për 58-vjeçarin, duke i plotësuar dëshirën që ky i fundit kishte shprehur para ndeshjes me Armeninë, në Elbasan.
Dorëzimi i pasaportës mund të konsiderohet si një dhuratë për ditëlindjen e 59-të të trajnerit, që i mbush më 14 qershor 2015. Të shtunën, Shqipëria ndeshet me Francën, në një takim miqësor të vlefshëm për grupin I të Eliminatoreve të Evropianit 2016, por që nuk mbart pikëzim, pasi Franca është organizatore e veprimtarisë dhe e kualifikuar automatikisht për në fazën finale.