AlbanianSport.com 23.01.2015 12:00
ASNN – Disa prej kuqezinjve të trajnerit Xhovani De Biazi kanë ndryshuar destinacion gjatë merkatos së dimrit, por trajneri nuk nxitohet me përfundime, duke theksuar se e rëndësishme është që ata të integrohen sa më shpejt te skuadrat e reja.
“Kam folur me të gjithë lojtarët që kanë ndryshuar skuadër, – ka thënë italiani, i cituar nga mediat sportive shqiptare. – E rëndësishme është që të ambjentohen sa më shpejt dhe të luajnë për të fituar sa më shumë përvojë.”
“Lenjani te Rena? – ka vijuar trajneri i Kombëtares duke iu referuar kalimit të futbollistit kuqezi në kampionatin francez të futbollit. – Shpresoj që kjo skuadër t’i japë sa më shumë eksperiencë, por do ta tregojë koha nëse kjo është skuadra e duhur për të”.
58-vjeçari la një derë të hapur edhe për prurjet e reja në Kombëtare nga Kategoria Superiore, duke nënvizuar se nën drejtimin e tij, kuqezinjtë kanë afruar shumë lojtarë nga kampionati shqiptar.
Njëri prej tyre është edhe Alban Hoxha, të cilin De Biazi e konfirmon në grupin që drejton pas mungesës së “gardianit” të portës të Partizanit për dy miqësoret e Francës dhe Italisë.
“Alban Hoxha është pjesë e tre portierëve të mi titullarë, – ka vijuar trajneri Xhovani De Biazi. – Ai është një portier që më pëlqen shumë por mbi të gjitha më pëlqen sepse është një njeri serioz në punën që bën.”