AlbanianSport.com 18.10.2014 23:40
ASNN – Trajneri italian i kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, ka mbetur përgjithësisht i kënaqur nga miqësorja me Italinë, edhe pse i iku për pak nga duart një barazim historik në të parën përballje me 4 herë kampionët e botës. Ai ka mbetur veçanërisht i mrekulluar nga tifozët kuqezi në stadiumin e Xhenovas, që ishin dominues total.
“Të paktën arritëm t’i mundim në tribuna italianët dhe besoj se gjithçka shkoi mirë, – u shpreh De Biazi. – Ishte një ndeshje që e luajtëm mirë. U mposhtëm, por nga fusha nuk dolëm të humbur. Besoj se skuadra po ecën në rrugën e duhur.” Ndërkaq, homologu i tij, trajneri i “axurrëve” Antonio Konte e vlerësoi suksesin me Shqipërinë.
Ai e ka cilësuar si një provë pozitive përfaqësimin e të tijve, por duke kujtuar se kuqezinjtë nuk mund të konsiderohen më si ekipi i vogël, ndaj të cilit fitorja është e sigurt. “Mos harrojmë që kishim përballë një kombëtare që ka bërë mirë kohët e fundit”, – ka thënë ish-futbollisti i Juventusit.
“Kjo skuadër luajti mirë në Portugali, fitoi madje kundër tyre, luajti mirë dhe në Francë, ndaj besoj se nuk ishte e thjeshtë të fitoje ndaj Shqipërisë, – ka vijuar ai. – Sigurisht që nuk është momenti më i artë për futbollin italian, por mos harrojmë që kjo kombëtare ka fituar 5 nga 6 ndeshje. Unë besoj se duhet të jemi pak të duruar me përfaqësuesen tonë.”