AlbanianSport.com 29.10.2014 20:45
ASNN – Henrice Davanso është një qytetar brazilian nga Sao Paolo dhe së bashku me familjen e tij prej vitesh jeton në Lezhë. Jeton së bashku me gruan Henriketa, si dhe vajzën 16-vjeçare, e të tre së bashku e flasin në mënyrë perfekte gjuhën shqipe. Davanso edhe duke ardhur nga vendi i futbollit, jo vetëm që e do atë sport, por ai është dhe tifoz i Besëlidhjes. Dhe për gazetat sportive të ditës, ai ka deklaruar: “Unë e dua futbollin dhe ai është një sport shumë i dashur për mua”.
“Ne jemi disa brazilianë që jetojmë e punojmë në Shqipëri, – ka theksuar amerikanolatini. – Aktualisht ne jemi në Lezhë dhe ndihemi si në shtëpinë tonë. Tani që kemi vendosur të jetojmë në këtë qytet sigurisht që interesohemi dhe për Besëlidhjen. Ajo e ka nisur mirë kampionatin dhe sigurisht që do të eci përpara. Shohim një skuadër që luan shumë mirë futboll, një skuadër kompakte dhe rezultative. Unë them që me dëshirën e Zotit të luajë ndonjë futbollist brazilian me Besëlidhjen.”
“Në fakt unë kam një mikun tim në Brazil, i cili është duke vëzhguar disa lojtarë, të cilët më pas do t’i sjelli në Shqipëri. Kur të kthehet në Tiranë do të bisedojmë dhe po të jetë e mundur do të sjellim dhe ndonjë lojtar për Besëlidhjen”. Ndërkohë Davanso ka shfaqur dhe mendimin e tij për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Sipas tij, UEFA ka gabuar në vendimin që ka marrë. “Jam shumë i zemëruar me UEFA-n për atë që dha ndaj Shqipërisë, – tha ai. – Ne kemi parë të ushtrohet dhunë ndaj shqiptarëve.”
“Mendoj se UEFA duhet të ndryshojë vendimin, pasi e gjithë bota e ka parë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë është bërë kundër shqiptarëve në Beograd. Për hir të së vërtetës më pëlqen kombëtarja shqiptare, por dhe Besëlidhja”, – ka përfunduar braziliani Henrice Davanso.