AlbanianSport.com 04.09.2015 17:10
ASNN – Kombëtarja e Shqipërisë luan sonte ndeshjen vendimtare ndaj Danimarkës në fushën e kësaj të fundit. Kjo ndeshje është e vlefshme për grupin I të Eliminatoreve të Evropianit 2015, grup ky që kryesohet nga Portugalia me 12 pikë, e ndjekur nga Danimarka dhe Shqipëria, me nga 10 pikë secila.
Të dyja rivalet e Kombëtares kuqezi kanë luajtur nga një ndeshje më pak, çka i jep skuadrës së trajnerit Xhovani De Biazi, një epërsi morale në prag të takimit të sotëm. Sa i përket bilancit historik, nga 9 përballje të deritanishme, Danimarka ka fituar 6 prej tyre, dhe dy të tjera janë mbyllur në barazim.
Ndërsa Shqipëria krenohet vetëm me atë fitore 1-0 të vitit të largët 1963, të arritur me një gol të legjendarit Panajot Pano. Për më tepër, De Biazi dhe lojtarët e tij, duhet të thyejnë edhe tabunë e fushës daneze, ku Kombëtarja kuqezi është mundur në të 4 takimet që ka zhvilluar atje.
Vlen të theksohet se ndeshja e Kombëtares do të ndiqet edhe në mjediset prapa Kryeministrisë, ku është vendosur një ekran i madh dhe sportdashësit do të kenë mundësi ta ndjekin ndeshjen drejtpërsëdrejti. Takimi Danimarkë-Shqipëri do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, me një transmetim që do të nisë në ora 20:00, për të vijuar me ndeshjen, që luhet duke nisur nga ora 20:45 dhe për ta mbyllur me intervistat dhe komentet pas saj.