AlbanianSport.com 08.10.2014 10:25
Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, e ka vlerësuar lart Kombëtaren shqiptare në prag të përballjes së të shtunës midis skuadrave dhe, sipas tij, ekipi kuqezi është skuadra më e mirë që e ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Ndeshja midis Shqipërisë dhe Danimarkës, që do të luhet në Stadiumin e rindërtuar “Elbasan Arena”, do të transmetohet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
“Skuadra më e mirë që e ka pasur Shqipëria ndonjëherë.” ky është vlerësimi që trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, i ka bërë Kombëtares kuqezi në prag të përballjes së të shtunës midis dy skuadrave. Ai është i vetëdijshëm se nuk do ta ketë aspak të lehtë përballjen me Kombëtaren shqiptare në “Elbasan Arena”, në takimin e vlefshëm për Eliminatoret e Euro 2016-s.
“Shqipëria do të luajë në shtëpi dhe ka fituar besim të madh, pas fitores ndaj Portugalisë, – ka thënë Olseni. – Është në temperamentin e tyre të mos mbrohen në shtëpi dhe ndoshta ky është ekipi më i mirë që e ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Nuk pres të jetë një ndeshje të cilën do ta dominojmë për 90 minuta.” Ai ka vlerësuar atmosferën që krijohet në stadiumet shqiptare kur luan Kombëtarja, si dhe fitoren që Shqipëria arriti në takimin e parë në Portugali.
“Shqipëria është një skuadër me një tifozeri të zjarrtë, – ka theksuar Olseni. – Shqipëria është një vend me njerëz të apasionuar që u zien gjaku. Do të luajmë në një stadium të ri që besoj se do të mbushet plot dhe e dimë shumë mirë se sa zhurmë mund të bëjnë. Ne nuk duhet të trembemi por të frymëzohemi për të dhënë maksimumin. Jemi shumë të lumtur dhe entuziastë për mënyrën se si shkoi ndeshja e Portugalisë sepse ata janë kundërshtarët tanë direkt.”
“Gjithsesi duhet të tregohemi të kujdesshëm sepse zakonisht në ndeshjet e para Portugalia bën hapa falsë por më pas fillon ngjitjen”, – ka përfunduar trajneri i përfaqësueses daneze, Morten Olsen. Ndeshja midis Shqipërisë dhe Danimarkës, që do të luhet në Stadiumin e rindërtuar “Elbasan Arena”, do të transmetohet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.