AlbanianSport.com 11.10.2014 22:55
ASNN – Shqipëria ka qenë pranë fitores, por është detyruar të kënaqet me një pikë të shtunën në mbrëmje, kur në Stadiumin e rindërtuar “Elbasan Arena”, është ndalur në një barazim 1-1 me Danimarkën. Sidoqoftë, ky rezultat i mban të dyja skuadrat në krye të renditjes së grupit “I”, me nga 4 pikë secila, ndërsa takimi tjetër i grupit, ai midis Armenisë dhe Serbisë, u mbyll po në barazim 1-1. Takimi midis kuqezinjve dhe Danimarkës shënoi edhe një standard të ri transmetimi nga ana e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, në përputhje me kriteret evropiane të kohës.
Gjithçka ka qenë thuajse perfekte…. Duke nisur nga stadiumi i rindërtuar, tek atmosfera e shkëlqyer dhe gjithçka tjetër… Themi thuajse, pasi Shqipëria ka kryesuar për shumicën dërrmuese të ndeshjes së saj me Danimarkën, duke i bërë tifozët kuqezi të ëndërrojnë, por në fund është detyruar të kënaqet me një pikë të vetme, pas barazimi 1-1 që arriti të shtunën në mbrëmje në Stadiumin “Elbasan Arena”. Goli i Lenjanit në minutën e 38-të të ndeshjes, pjesa e parë e së cilës ishte kryesisht e baraspeshuar dhe me të dyja skuadrat që tregoheshin më të kujdesshme për të mos pësuar sesa për të sulmuar, i ka dhënë epërsinë minimale Kombëtares kuqezi.
Por me daljen nga dhomat e zhveshjeve, janë danezët që e sulmojnë më tepër portën e Etrit Berishës, të cilit i vjen në ndihmë edhe shtylla për të shmangur golin. Kështu, në një duel që u shtri në të dy skajet e fushës, edhe Shqipëria i ka patur rastet e veta për të shënuar, por pa arritur të finalizojë me sukses. Dhe, sikundër na ndodh rëndom, janë minutat e fundit ato që na penalizojnë dhe Danimarka ka barazuar shifrat në minutën e 81-të, kur i futuri në fushë, Lase Vibe përfiton nga shthurja e mbojtjes kuqezi dhe shënon.
Madje, në sekondat e fundit të ndeshjes, danezët mund të na kishin vjedhur edhe fitoren, por Berisha dëshmon se për të mbrojtur rezultatin duhen të 11-të lojtarët, përfshi edhe portierin. Mbyllet pra në barazim 1-1 kjo sfidë, por, sidoqoftë, ky rezultat i mban të dyja skuadrat në krye të renditjes së grupit “I”, me nga 4 pikë secila, ndërsa takimi tjetër i grupit, ai midis Armenisë dhe Serbisë, u mbyll po në barazim 1-1. Takimi midis kuqezinjve dhe Danimarkës shënoi edhe një standard të ri transmetimi nga ana e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, në përputhje me kriteret evropiane të kohës.