Nga Gjergj Vyshka 13.11.2014 10:40
Peqinasi, i cili ka marrë dy medalje ari dhe një medalje argjendi, tentoi rekordin në shkëputje. 3 medalje ka marrë Daniel Godelli dje në Botërorin e të rriturve në Peshëngritje, që është duke u zhvilluar në Almati të Kazakistanit. Është dyfish Kampion Bote, sepse ka marrë të artë në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh, por dhe medalje argjendi në stilin e shtytjes. Shkëlqen përsëri Daniel Godelli, ndërsa është për herë të parë në karrierën e tij si peshëngritës me të rriturit “kampion bote”.
Por jo pak, por “kampion bote” i dyfishtë, ndërsa ka dalë i pari në shkëputje dhe i pari në dygarësh. Mund të ishte dhe i pari në shtytje. Por tentativa për të thyer rekordin e botës me 211 kg nuk ka rezultuar e suksesshme. Megjithatë Godelli sot është krenaria e Shqipërisë, sportit shqiptar dhe peshëngritjes në tërësi. Një sportist me një vazhdimësi konstante, ndërsa pas çdo aktiviteti, që nga 17-vjeçarët e deri tek të rriturit, që sjell çdo herë medalje nga veprimtaritë ndërkombëtare.
Një sportist që sot garanton gjithçka për peshëngritjen, pse jo do të jetë garanci e madhe në Lojërat e para Evropiane në Baku dhe më pas dhe në Rio de Zhaneiro 2016, atje ku duket se ka hyrë automatikisht që tani. Nuk ka pasur shansin për të qenë në podium së bashku me Erkand Qerimajn, me të cilin në prill në Izrael ndau medaljen e argjendtë dhe të artë të Evropian. Por i vetëm ka ditur të triumfojë mes kinezit dhe koreanit, pa thënë që i ka “shkelur me këmbë” të gjithë evropianët dhe rivalët e kontinentit në peshën 77 kg.