Gjergj Vyshka 24.09.2014 19:55
Si në asnjë veprimtari të volejbollit shqiptar, dje në gjysmëfinale të Kupës së Federatës, Partizani dhe Teuta kanë luajtur me të njëjtën ngjyrë fanelle, që ishte e kuqja, e rrallë në fakt për durrsaket, që dallohen për blunë në ngjyrën e detit. Por dhe pse ka ndodhur, gjithçka është dukur në rregull nga kryegjyqtari dhe gjyqtarët, të cilët kanë pranuar që të dy skuadrat të luajnë me të njëjtën ngjyrë.
Por, në rregulloren e brendshme të Federatës Shqiptare të Volejbollit, e miratuar nga kryesia e institucionit më të lartë të rrjetës shqiptare më 7 maj 2014 dhe që ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2014, në nenin 3.13.1 thuhet: “Nuk lejohet që në një ndeshje zyrtare volejbolli të dyja skuadrat të kenë të njëjtën ngjyrë në uniformat e lojës”.
“Skuadra mike (udhëtuese) në kalendar është e detyruar që të ketë uniformën e lojës të ndryshme nga skuadra kundërshtare, – vijon neni në fjalë i rregullores së FSHV-së. – Në rast të moszbatimit të këtij rregulli, skuadra mike (udhëtuese) gjobitet me 10.000 lekë të rinj.”
Ky është neni, i cili duhet të ishte zbatuar jo vetëm nga Teuta, por dhe nga gjyqtarët, të cilët nuk duhet ta kishin pranuar një gjë të tillë. Dhe i vetmi dallim kanë qenë emrat e skuadrave të vendosura në shpinat e lojtareve. Por ndodh dhe kështu në veprimtarinë e parë zyrtare të Federatës Shqiptare të Volejbollit.