Nga Gjergj Vyshka 21.02.2015 14:35
Gara e Kategorisë së Parë në grupin e Veriut, të paktën këtë javë, duket se është krejtësisht jashtë logjikës së konkurrencës. Sepse pas Adës së Velipojës, e cila ndeshjen e saj me Tërbunin po e luan në Pezë-Helmës, atje ku skuadra pukjane stërvitet përditë, edhe Veleçiku ka pranuar ta bëjë të njëjtën gjë.
Që do të thotë se ndeshjen e saj si pritëse me Mamurrasin po luan në fushën e kësaj të fundit. Duket se për të dyja skuadrat, të cilat gjatë gjithë sezonit të Kategorisë së Parë mbetën me çanta në shpinë, janë ndeshje pa kosto financiare për pagesa fushash. E si të tilla përfundimet mund të imagjinohen ende pa hyrë në fushë.
Pa dashur të paragjykojmë, sot, si Ada e Velipojës-Tërbuni, ashtu dhe Veleçiku-Mamurrasi do të jenë ndeshje pa shumë histori. Kjo sepse në fund fituese do të jenë ato që pretendojnë të ngjiten në Kategorinë Superiore. Vërtetë Ada e Velipojës dhe Veleçiku janë për mbijetesë, por gara e tyre përballë Tërbunit dhe Mamurrasit, duke luajtur si pritës në shtëpinë e kundërshtarëve, jo vetëm që nuk prodhon konkurrencë, por është dhe jashtë logjikës së garës.
E në këtë kuadër, kur dy javë më parë institucioni më i lartë i futbollit shqiptar nuk pranoi që Ada e Velipojës-Mamurrasi të luhej në Lezhë e në Pukë, sepse janë fushat e pretendentëve, duhet të kishte ndërhyrë. Për të mos bërë garën që tani pa shije në Kategorinë e Parë.
Skuadrat kanë diferenca e kudo ku mund të luajnë mund të fitojnë lehtësisht. Por të luash si pritës në shtëpinë e kundërshtarit, siç po ndodh si tek Ada e Velipojës-Tërbuni, ashtu dhe Veleçiku-Mamurrasi, ky nuk është më futboll normal… Por ndodh dhe kështu në futbollin shqiptar.