AlbanianSport.com 27.09.2015 14:20
ASNN – Që skuadra e Butrintit është në krizë, kjo duket edhe nga fakti se stafi teknik, por edhe një pjesë e lojtarëve që e bënë vjet një ekip simpatik dhe sfidues deri në fund për vendin në Kategorinë Superiore, janë larguar dhe tashmë dergjen në vendin e 8-të, me vetëm një fitore të marrë në këto 3 java të para të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë .
Por ajo që ka ndodhur në të dy sfidat me Sopotin e Librazhdit, që e ka mundur 3-0, so në Kupë, ashtu edhe në kampionat, ka qenë një çudi më vete. Ajo që ka ndodhur në kampin sarandjot është se janë detyruar të luajnë me fanellat e ekipit të Delvinës që ua kishin marrë borxh për këtë takim. Ky fakt ka shkaktuar ilaritet tek të pranishmit, që e prisnin diçka të tillë të paralajmëruar edhe më herët.
Klubit sarandjot i mungon fanella e dytë dhe nuk është gati, ndërsa të parën e ka të përafërt me atë të Sopotit. Në sfidën e Kupës kur u përballën këto ekipe përpara dhjetë ditësh, sarandjotët u detyruan të vishnin jelekë për t’u luajtur takimi. Ndërsa dje i kishin marrë masat duke huazuar fanellat e Delvinës, që militon në Kategorinë e Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Por as kjo nuk i ndihmoi për shmangur humbjen.