AlbanianSport.com 05.04.2015 16:10
ASNN – Harrojeni “Uemblin”, harrojeni “San Siron”, “Kamp Noun”, “Allianz Arenën” dhe “Marakanën” sepse Turqia bëhet gati t’i prezantojë botës stadiumin më të bukur të ndërtuar ndonjëherë. Ose të paktën më të veçantin deri tani. Nuk është Gallatasaraji, as Fenerbahçe apo Beshiktashi, por Bursaspori, që aktualisht renditet në vendin e 4-t në kampionat, skuadra që po ndërton “krokodilin e gjelbër”.
Stadiumi i ri do të mbajë si emër, epitetin e skuadrës nga qyteti i Bursës dhe do të presë 45,000 shikues. Mbulesa e tribunave është një krokodil gjigand, koka e të cilit është pjesë e projektit. “Crocodile Arena” filloi të ndërtohet në vitin 2011 dhe drejtuesit e skuadrës shpresojnë që punimet të përfundojnë në kohë dhe stadiumi të jetë gati për sezonin e ri, 2015-2016.
Bursa është një qytet i njohur për numrin e madh të popullsisë me origjinë shqiptare ndërsa nuk na mbetet gjë tjetër veç të shpresojmë që Bursaspori të kualifikohet në Evropë, për të parë nga ekrani, stadiumin më të bukur në botë… dhe sigurisht më të veçantin në paraqitje.