AlbanianSport.com 26/01/2021 19:25
ASNN – Epidemia e “Covid-19”-ës ka goditur rëndë futbollin. Nga mungesa e spektatorëve në stadium dhe reduktimi i të drejtave televizive, krijohet një humbje prej mbi 1 miliard Euro në total. Më të prekurat nga humbjet janë klubet e mëdha ku listën e kryeson Barcelona. Kështu, sipas studimit të përvitshëm të “Football Deloitte Money League” për 2021-shin, agjencia angleze, ka paraqitur numrat dhe të dhënat mbi humbjet e klubeve të mëdha botërore.
Deri në fund të këtij sezoni, 20 klubet më të mëdha në botë, do të humbasin më shumë se 2 miliardë euro. Të ardhurat në 2019-2020, kanë prekur shifrat 8.2 miliardë, 12% më pak se viti i kaluar, kur ishin 9.3 miliardë. Deri tani, shuma e përgjithshme e humbjeve, shkon pak a shumë deri në 1.1 miliardë euro, për shkak të reduktimit të të drejtave televizive në -23%, pra 937 milionë, dhe mungesës së spektatorëve në stadium -17%, pra 257 milionë.
Të gjitha këto të kompensuara vetëm nga një anë, +3%, pra 105 milionë nga të ardhurat komerciale. Fatura mesatare e çdo klubi shkon në 409 milionë euro, me një rënie prej 55 milionë kundrejt sezonit të kaluar. Në krye të listës, konfirmohet Barcelona, që ka prekur kuotën 715 milionë Eurove të ardhura, kundrejt 840 të sezonit të kaluar. Në vend të dytë ndodhet Reali i Madridit, me 714, i ndjekur nga Bajerni i Mynihut, me 634 milionë Euro.
Mançester Junajtid me 580 është i 4-ti, Liverpuli me 558 dhe Mançester Siti me 549 ndajnë në vendin e 5-të dhe të gjashtë. Nga klubet italiane, Juventusi është në vendin e 10-të, me 397.9 milionë Euro, 13% më pak se në sezonin e kaluar. Në vendin e 14-ti është Interi, që ka mundur të gjenerojë vetëm 291.5 milionë Euro, pra, 20% më pak. Në vendin e 19-të është Napoli, ndërsa Milani vetëm në vendin e 30-të, me 148 milionë Euro të gjeneruara.