AlbanianSport.com 03/06/2020 18:45
ASNN – Diego Armando Maradona do të mbetet trajner i “Gimnasia i Esgrimas” deri në fund të sezonit të ardhshëm, 2020-2021, pasi ai e ka zgjatur kontratën e tij, ka njoftuar të mërkurën klubi argjentinas.
Ndonëse nuk janë dhënë detaje, klubi, tifozët e të cilit njihen si “Triperos”, ka shkruar në llogarinë e vet në rrjetin social “Twitter”: “Për ne, je më tepër se një “Tripero” dhe zemra jote është e kaltër dhe e bardhë si e jona. Gimnasia 2021 Maradona.”
Legjenda e futbollit botëror e mori drejtimin e skuadrës së Gimnasias në shtator të vitit 2019, ndërsa klubi gjendej në vendin e fundit të nivelit më të lartë të kampionatit argjentinas të futbollit.
Ndonëse rezultatet janë përmirësuar, klubi prapë po shkonte drejt rënies nga elita, kur sezoni në Argjentinë u anulua në prill të këtij viti për shkak të epidemisë së virusit korona në shkallë globale.
Mirëpo, Federata e Futbollit të Argjentinës ka vendosur të mos ketë rënie nga elita, duke e shpëtuar kështu klubin në fjalë dhe bashkë me të edhe vendin e Maradonës në stol, madje duke i mundësuar atij edhe rinovimin.