Gjergj Vyshka 19.05.2016 10:25
Çiklizmi shqiptar është kthyer në qendër të vëmendjes, sepse për më shumë se dy muaj luan të gjithë sezonin e saj me veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare. E nis këtë javë me Kupën “Agim Tafili”. Del më pas në fund të javës së vetme me të vetmen etapë Tiranë-Burrel, e cila do të jetë pjesë e BITT 2016. Për të vijuar me Rrethin Çiklistik të Shqipërisë, që nis më 14 qershor dhe përfundon më 19 qershor.
Por Kampionati Kombëtar Individual, nga data 24, deri më 26 qershor 2016, do të jetë prova gjenerale përpara një veprimtarie më madhore që e pret këtë vit Federatën Shqiptare të Çiklizmit. Bëhet fjalë për Kampionatin Ballkanik të Nën-23-vjeçarëve & Elitës, që nga data 1, deri më 3 korrik 2016 do të zhvillohet në Elbasan.
E për të gjitha këto, kuptohet për të vënë pikat mbi “i” për mënyrën e organizimit, dje në mesditë është mbledhur dhe Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Çiklizmit nën drejtimin e presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku. Dhe për të gjitha vendimet e marra, gazeta “Sport Ekspres” është informuar nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Alfred Tahiraj.