Gjergj Vyshka 03.10.2014 11:15
Federata Shqiptare e Çiklizmit, që nga e hëna, do të zhvillojë aktivitetin e saj më të rëndësishëm kombëtar, teksa bëhet fjalë për Rrethin e 71-të Çiklistik të Shqipërisë. Me mbështetjen e Bashkive të Tiranës, Durrësit, Përmetit, Burrelit, Vlorës, Fierit e Shkodrës, kjo veprimtari nis të hënën. Fillimisht edhe sipas etapave të ndara, të hënën në ora 10:00 do të jenë pesë xhiro prolog në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Më pas, po të hënën, në ora 11:00 do të jetë etapa e parë Tiranë-Shkodër, e gjatë 94.3 kilometra, atje ku starti do të jepet tek Kthesa e Kamzës pranë “Casa Italia”. Të martën nga Shkodra shkohet në Burrel. Një ditë më pas në Durrës. Nga Durrësi në Vlorë, e prej Vlorës në Përmet për të përfunduar Fier të shtunën e ardhshme. Gjatësia e rrethit të 71-të Çiklistik të Shqipërisë, është 678.85 kilometra.
Sigurisht që një aktivitet kaq i rëndësishëm i çiklizmit shqiptar do të ketë dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa pritet që të ketë dhe pjesëmarrje të klubeve të huaja.