Gjergj Vyshka 15.06.2016 12:50
Ylber Sefa, çiklisti i Tiranë, është fanella e verdhë e parë e Rrethit të 73-të Çiklistik të Shqipërisë, që ka nisur dje me garën e kronometrit në segmentin TEG-Kristal Center e kthim. 14 skuadra kanë sjellë në veprimtarinë më të rëndësishme të çiklizmit shqiptar plot 60 sportistë. Krahas Vllaznisë, Partizanit, Teutës, Tiranës, Apolonisë, Elbasanit, Flamurtarit, Besës, Burrelit, Skënderbeut, pjesë e Rrethit të Shqipërisë janë edhe “Team Giro” e Bosnje-Hercegovinës, Kombëtarja e Kosovës dhe ajo Malit të Zi, si dhe skuadra e Kumanovës në Maqedoni.
14 çiklistët nën gjykimin e rreptë të Hilmi Gjyzelit, Pavli Karajës, Abedin Guzes, Luan Sallakut, Ardiani Drenit etj janë nisur në një distancë prej dy minutash nga të tjerët. Por më parë sportistët janë thirrur me mikrofon nga Karaja, që ka kontrolluar numrin e tyre e më pas çiklistët kanë firmosur përpara startit. Ka dhe nga ata që janë skualifikuar si Donald Mukaj i Flamurtarit dhe Andi Terziu i Teutës, ky i fundit ka hyrë në përfundim të të tjerëve sa për të parë veten, ndërsa vlonjati nuk ka pranuar të garojë më, sepse nuk kanë pasur numrin dhe fanellën e klubit që përfaqësojnë.
Ndërkohë gara më e fortë ka qenë mes Banushit dhe Sefës, ndërsa në makinat që ndiqnin janë vendosur kryegjyqtari Gjyzeli dhe sekretari Karaja. Por jo vetëm kaq, por dhe për Bruno Kolën e Vllaznisë ka shkuar nga pas sekretari Tahiraj. Me 55 sekonda diferencë, Sefa ka treguar se është më i shpejtë në kronometër, ndaj dhe është fituesi i prologut të Rrethit të 73-të Çiklistik të Shqipërisë.
Rrethi i 73-të Çiklistik i Shqipërisë
Rezultatet teknike të etapës së parë
(Kronometër individuale – TEG-Kristal Center e kthim – 12.2 kilometra)
Nr. Çiklisti (Ekipi) Koha
1. Ylber Sefa (Tirana) 14’01”
2. Besmir Banushi (Apolonia) 14’56”
3. Glen Van Demaelen (Partizani) 15’09”
Etapat e mbetura:
Sot Tiranë – Shkodër 94.3 kilometra
16 qershor Shkodër – Ulëz – Burrel 98.3 kilometra
17 qershor Burrel – Rrëshen – Durrës 119 kilometra
18 qershor Durrës – Pogradec 166 kilometra
19 qershor Pogradec – Kërrabë 109 kilometra