Gjergj Vyshka 15.06.2016 18:20
Çiklisti bardheblu, Ylber Sefa, ka qenë fituesi i garës së kronometrit, ndërsa ka lënë pas Banushin e Apolonisë dhe belgun e Partizanit, Van Demaelen. Ashtu sikurse ishte parashikuar prezantimi i skuadrave të Rrethit të 73-të Çiklistik të Shqipërisë, por dhe shpallja e fituesve të prologut është bërë në sheshin “Skënderbej”.
Në prani të presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, dhe përfaqësueses së lëvizjes “He for she” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kolet Donadiu është dhe hapja zyrtare e Rrethit të 73-të Çiklistik të Shqipërisë.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, nuk ka pasur shumë për të thënë por menjëherë ka ftuar kryebashkiakun Veliaj. Dhe në fakt një fanellë e verdhë ka shkuar dhe për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë në përshëndetjen e tij presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, ka bërë të ditur se në këtë Rreth të Shqipërisë nuk ka humbës, por vetëm fitues.
“Më duhet t’iu falënderoj për çfarë bëni, ndërsa Federata Shqiptare e Çiklizmit është ndër ato që sot kërkon pjesëmarrjen në Olimpiadë, apo dhe medaljet në veprimtaritë ndërkombëtare”, – ka përfunduar kreu i lëvizjes olimpike shqiptare.