Gjergj Vyshka 22.02.2016 07:55
Redi Halilaj është një tjetër shqiptar, i cili tashmë i është bashkuar çiklizmit profesionist. Ai ka firmosur për pesë vjet me Amaro Vitën dhe së bashku me Eugert Zhupën janë duke përfaqësuar Shqipërinë në veprimtaritë më të mëdha të çiklizmit ndërkombëtar.
Kaq ka mjaftuar që presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, jo vetëm të jetë i kënaqur, por të rrisë edhe pretendimet, sepse me Halilajn mendon të jetë i përfaqësuar në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” me normë kualifikimi.
Jo vetëm kaq, por Shqipëria është zgjedhur organizatore e Kampionatit Ballkanik të të rriturve dhe Nën-23-vjeçarëve, që do të zhvillohet në Elbasan, nga data 1, deri më 4 korrik 2016.
Në këtë kampionat, çiklizmi shqiptar synon medalje me Iltian Nikën, Besmir Banushin dhe Ylber Sefën, ndërsa një veprimtari e tillë rikthehet pas pas 9 vjetësh në Shqipëri, që nga mbajtja në Korçë e Kampionatit Ballkanik për Të Rinj.
E ndërkohë me Rrethin e Shqipërisë, i cili do të nisë më 16 qershor, Anxhaku, teksa ka ftuar disa ekipe të huaja kërkon t’i japë një tjetër vlerë veprimtarisë më të rëndësishme të dyrrotakëve në vend.