AlbanianSport.com 17.06.2016 16:15
ASNN – Zyrtarët e Federatës Shqiptare të Çiklizmit (FSHÇ) u shprehën se ndryshe nga një ditë më parë, Policia e Qarkullimit Rrugor kishte marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e veprimtarisë, duke disiplinuar mjaft mirë lëvizjen e automjeteve. “Të mërkurën patëm probleme serioze me qarkullimin rrugor”, – thanë burime pranë organizmit që qeveris “dyrrotakët” shqiptarë.
“Ishim shumë të shqetësuar për jetën e çiklistëve, – vijuan më tej burimet në fjalë. -Zyrtarët e lartë të FSHÇ-së u detyruan të komunikojnë me zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme. Kjo bëri që qarkullimi të ishte perfekt. Ky disiplinim makinash dhe ky rregull u pëlqeu shumë edhe sportistëve të huaj.” Ndërkohë, gjyqtari Artan Gjurgji tha se gara e djeshme ishte e bukur, e luftuar dhe tërheqëse.
“Deri afër urës së Ulzës, territor i Bashkisë së Matit, garuesit erdhën të grupuar, – ka sqaruar ai. – Për fat të mirë ato nuk patën probleme gjatë garimit. Në maloren e Ulzës, e njohur për terrenin e saj të thyer dhe me kthesa, nisi shkëputja e më të mirëve dhe e atyre që mbërritën të parët në qytetin e Burrelit. Gara ishte e pastër dhe u zhvillua brenda të gjitha parametrave të kërkuar. Moti i nxehtë nuk i pengoi çiklistët të luftonin për të zënë vendet e para”, – përfundoi Gjurgji.
Rrethi i 73-të Çiklistik i Shqipërisë
Rezultatet teknike të etapës së dytë
(Shkodër-Burrel, 98.3 kilometra)
Nr. Çiklisti (Skuadra) Koha
- Ylber Sefa (Tirana) 2h26’48”
- Demir Muliç (Mali i Zi) 2h26’52”
- Besmir Banushi (Apolonia) 2h26’54”
Renditja e përgjithshme individuale pas 3 etapash:
Nr. Çiklisti (Skuadra) Koha
- Ylber Sefa (Tirana) 4h47’42”
- Besmir Banushi (Apolonia) 4h48’53”
- Glen Van Demaele (Partizani) 4h49’16”
Renditja e përgjithshme ekipore pas 3 etapash:
Nr. Skuadra Koha
- Apolonia 14h29’33”
- Tirana 14h36’01”
- Mali i Zi 14h36’38”