Gjergj Vyshka 22.02.2016 11:10
Një tjetër çiklist shqiptar i bashkohet një skuadre profesioniste italiane, ndërsa Shqipëria zgjidhet si vend mikpritës i Kampionatit Ballkanik të Çiklizmit. Redi Halilaj është një tjetër shqiptar, i cili tashmë i është bashkuar çiklizmit profesionist. Ai ka firmosur për pesë vjet me Amaro Vitën dhe së bashku me Eugert Zhupën janë duke përfaqësuar Shqipërinë në aktivitetet më të mëdha të çiklizmit ndërkombëtar.
Dy sportistët në fjalë janë pretendentë për të siguruar normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Sipas Presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku: “Ky është fryt i punës së madhe dhe djersës së derdhur në stërvitje nga këta çiklistë, por dhe i mbështetjes së madhe që Federata ka dhënë për ta. Pretendojmë medalje në Kampionatin Ballkanik.”
Ja dhe intervista e tij për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, që AlbanianSport.com jua sjell këtu.
– Redi Halilaj është një tjetër çiklist shqiptar që i është bashkuar rrafshit profesionist. Çdo të thotë për ju si Federatë?
– Së pari, duke llogaritu dhe Eugert Zhupën, i cili që prej dy vjetësh merr pjesë në çiklizmin profesionist, kjo firmë e Redi Halilajt është vlerë për të gjithë. Është fryt i punës dhe djersës së derdhur prej vitesh në stërvitje, por jo vetëm kaq por dhe fryt i mbështetjes së madhe të Federatës që në bashkëpunim edhe me skuadrat e tyre në Itali ka bërë gjithçka mirë për ta.
– Cila është skuadra e tij dhe për sa ka firmosur?
– Skuadra është “Amore Vita” dhe ai ka një kontratë pesëvjeçare. Kurse Zhupa është në një tjetër ekip, por që janë vlerë, ashtu sikurse dhe disa çiklistë të tjerë në Itali e Shqipëri, që përfaqësojnë këtë sport kaq të bukur për ne në arenën ndërkombëtare.
– Jemi në prag të Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, pretendimet?
– Në garën më të fundit, Halilaj ka marrë 20 pikë, të cilat ne mendojmë që t’i shtojë në veprimtaritë e tjera ndërkombëtare dhe të jetë në Olimpiadë me normë kualifikimi për ne.
– Le të ndalemi në një pikë tjetër, ju jeni përzgjedhur organizator i Kampionatit Ballkanik për të Rritur dhe Nën-23-vjeçarët…
– Kjo është e vërtetë. Në mbledhjen e fundit të Unionit Ballkanik të Çiklizmit, që është zhvilluar fundjavën e kaluar në Shkup, ne do të jemi organizatorët e Kampionatit Ballkanik, që nga data 1, deri më 4 korrik 2016, do të zhvillohet në Elbasan. Jo vetëm kaq, por më 16 qershor që ne do të nisim Rrethin e Shqipërisë ne kemi ftuar dhe disa ekipe të huaja, sepse çiklizmi shqiptar ka nevojë për përhapje.
– Do të pretendoni të merrni medalje me profesionistët Halilaj e Zhupa, apo me të tjerë?
– Nëse do t’i lejojnë klubet e tyre ata janë të mirëpritur të marrin pjesë në këtë garë. Por gjithsesi ne pretendojmë me Iltian Nikën, Besmir Banushin, Ylber Sefën që të bëjmë më të mirën në këtë aktivitet që bëhet në vendin tonë. Më duhet të shtoj dhe diçka nga presidenti i Federatës Botërore të Çiklizmit dhe ai i Evropës, që ishin në mbledhjen e Unionit Ballkanik, çiklizmi shqiptar është vlerësuar se ka bërë hapa të mëdha. Dhe ne do ta tregojmë atë me Kampionatin Ballkanik, sepse tashmë me Halilajn dhe Zhupën në profesionizëm e kemi marrë një “betejë”.